Nga Mila Ballhysa
Më 26 nëntor dhe ditët që e pasuan atë natë të frikshme, durrsakët u ndjenë më pranë njëri-tjetrit. I bashkonte fati i përbashkët i godinave të shkatërruara, paniku nga lëkundjet që nuk kishin të ndalur dhe zemërata popullore ndaj ndërtimeve pa cilësi dhe ndërhyrjeve abuzive që u kushtuan jetën 23 viktimave dhe lanë të pastrehë me mijëra familje.
Kur kanë kaluar më shumë se 6 muaj nga tërmeti, halli mbetet i njëjti, por njerëzit mendojnë për zgjidhjen e hallit personal. Madje edhe në pallate të dëmtuara rëndë, banorët shpesh nuk e gjejnë gjuhën e përbashkët. Disa duan shembjen, disa riparimin. Por ajo që më bën më shumë përshtypje gjatë këtyre muajve post tërmet, është mungesa e organizimit mes njerëzve që ndajnë të njëjtin shqetësim jetik, sigurinë e banesës dhe jetës. Në ditët e para pas tërmetit, pata shkruar se Zoti pas asaj nate të frikshme na dha një jetë të dytë dhe se këtë mundësi duhet ta përdorim për të ngritur zërin para padrejtësive, për të denoncuar të gjitha abuzimet, për të kërkuar ndëshkimin e fajtorëve për masakrën urbane që e vuan një qytet i tërë.
Veprimet e prokurorisë për masakrën urbane të bërë gjatë 30 viteve demokraci ishin të parat fare që u harruan. Kultura e pandëshkueshmërisë triumfoi sërish, si për t’i treguar njerëzve se edhe pse u regjistruan viktima dhe dëme kolosale, organi i akuzës nuk ka këllqe për t’u shkuar deri në fund hetimeve.
Ngritja e zërit kufizohet vetëm në komente apo postime në rrjete sociale. Megjithëse nuk kanë marrë këstin e pestë të bonusit të qirasë, asnjë përfaqësi qytetarësh nuk ka shkuar të protestojë për ditë me radhë para bashkisë së Durrësit. E kanë më kollaj të shkruajnë në redaksitë e portaleve dhe të pyesin sepse nuk ka dalë bonusi apo edhe të kërkojnë llogari se pse nuk shkruajnë gazetarët për vonesat në kalimin e bonusit.
Megjithëse shumë prej tyre nuk dinë ende për fatin e pallateve të dëmtuara rëndë asnjë përfaqësi qytetarësh nuk ka protestuar para Institutit të Ndërtimit për akt-ekspertizat e munguara. Në këto raste është vazhduar të veprohet alla shqiptarçe. Gjejnë dikë që njeh dikë tek Instituti i Ndërtimit dhe tërheqin akt-ekspertizën në mënyrë private.
Edhe protestat para shesheve të pallateve apo para bashkisë nuk kanë qenë asnjëherë të organizuara mes qytetarëve që vuajnë të njëjtin hall në pallate dhe lagje të ndryshme të qytetit. Nuk ka pasur në asnjë rast një frymë bashkëpunimi për të mos ngritur zërin vetëm për hallin personal, por edhe për hallin kolektiv. Vazhdojmë të mbetemi një qytet dhe një komunitet që mendojmë deri tek pragu i shtëpisë. Nëse gjejmë një zgjidhje për hallin tonë: Në djall të tjerët!
Fatkeqësisht Durrësi është konsideruar gjithnjë një qytet me qytetarë indiferentë. Për fat të keq, kjo stigmë që ka shoqëruar ndër vite qytetin tonë vazhdon të jetë mjaft aktuale edhe këto ditë. U shembën shkollat dhe fëmijët rrezikojnë të mësojnë në shtator me dy dhe tre turne dhe qytetarët nuk nxorrën zë. Rrezikojnë t’i nxjerrin pronarët e shtëpive me qira jashtë dhe prapë qytetarët nuk nxjerrin zë. Rrezikojnë t’i zërë sërish dimri me pallate të shpartalluara dhe prapë qytetarët nuk thonë gjë. Janë shpesh të detyruar të rikthehen në banesat e dëmtuara rëndë dhe prapë heshtin dhe nuk ngrenë zërin. Janë në pritje të përfitimit të dëmshpërblimit për banesat e dëmtuara, por harrojnë të ngrenë zërin për zbardhjen e procedurës sesi do të bëhet dhe kur do të bëhet riparimi i ambienteve të përbashkëta, fasadave, kafazëve të ashensorëve etj.
Kryeministri Rama propagandoi paraditen e sotme nisjen e punës për ndërtimin e shkollës së re “Kastrioti” dhe kopshtit në fshatin Derven të Fushë Krujës, të dëmtuara nga tërmeti. Kreu i ekzekutivit e nis rindërtimin e objekteve mësimore me një shkollë fshati, ndërkohë që në qytetin e Durrësit janë 5 shkolla të shembura dhe mijëra nxënës që nuk dihet se ku do të mësojnë në shtator. Shkolla “Neim Babameto” në Durrës me rreth 1000 nxënës është shembur që në ditët e para të dhjetorit 2019 dhe ende asnjë “gur” nuk është vendosur në të. Por prapë prindërit e nxënësve nuk e ngrenë zërin.
Kryeministri po planifikon të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2029. Ndoshta deri atëherë qytetarët mësojnë se duhet t’u kërkojnë llogari pushtetarëve…