Gjatë stinës së vjeshtës njerëzit ndjehen të lodhur dhe të  përgjumur, pa energji dhe humor për të përballuar ditën. Dita fillon të shkurtohet, temperaturat ulen ndjeshëm dhe trupi ndjehet i lodhur. Në ndryshim nga stina e pranverës dhe verës, kur njerëzit ndihen më optimist gjatë vjeshtës nisin të dalin në pah edhe shqetësimet kronike në organizëm. Më poshtë renditen disa nga shkaqet kryesore që shkaktojnë ndjesinë e lodhjes dhe mungesën e dëshirës për të punuar.

Gjumë i pamjaftueshëm

Kjo gjë ka efekte negative në përqendrim dhe shëndet. Për të rriturit është i nevojshëm të paktën 7- 8 orë gjumë çdo natë. E rëndësishme është vendosja e një programi të rregullt për gjumin. Një këshillë e thjeshtë, largoni Lap-topin, celularin apo televizorin nga dhoma juaj e gjumit. Nëse këto masa nuk sjellin ndonjë përmirësim, atëherë kërkoni ndihmën e mjekut specialist për ndonjë çrregullim të gjumit.

Apnea e gjumit

Në disa raste, njerëzit mendojnë se flenë mjaftueshëm, por ata nuk janë të vetëdijshëm se disa episode të apnesë kanë shoqëruar gjumin e tyre. Apnea e gjumit është ndërprerje e shkurtër e procesit të frymëmarrjes gjatë natës. Edhe pse gjatë këtij episodi dikush mund të zgjohet për disa çaste, ai nuk është në dijeni të këtij fenomeni. Si rezultat gjumi është i deprimuar edhe pse koha e kaluar në shtrat është relativisht e gjatë. Prej masave të thjeshta që mund të ndërmerren për të evituar, ose të paktën reduktuar episodet e apnesë janë: rënia në peshë, lënia e duhanit etj.

“Furnizim” i pamjaftueshëm

Ngrënia e pakët shkakton lodhje sikurse edhe ngrënia e ushqimeve të papërshtatshme. E rëndësishme është marrja e një diete të balancuar, duke plotësuar kërkesat e organizmit për glukozë, pasi rënia e nivelit të glukozës në gjak është shkaktar i ndjenjës së dobësisë apo lodhjes .Është i domosdoshëm konsumimi i përditshëm i vaktit të mëngjesit si edhe plotësimi i nevojave për glukozë e proteina në çdo vakt. Është e pëlqyeshme të konsumohen vakte të vogla të ndërmjetme për të mbajtur një nivel bazik të energjisë.

Anemia

Është një nga shkaqet më të shpeshta të dobësisë tek gratë. Kjo vjen më së shumti nga humbja e gjakut menstrual që shkakton një defiçit në jonin e hekurit, gjë që sjell një ulje absolute të rruazave të kuqe që shërbejnë për transportin e oksigjenit në inde. Në të tilla raste është e rëndësishme marrja e hekurit suplementar, konsumimi i ushqimeve të pasura me hekur sikurse mishi, mëlçia, peshk, fasule, drithëra të pasura etj.Nëse pini kafe, çaj, kakao apo edhe lëngje të tjera, që përmbajnë kafeinë, duhet t’i merrni dy orë para ose pas ushqimit, sepse vështirësojnë absorbimin e hekurit.

Depresioni

Depresioni nuk është thjesht një çrregullim afektiv, por influencon edhe në shumë simptoma fizike, si psh: lodhja, dhimbja e kokës, anoreksia. Ndjesia e lodhjes dhe gjendja e rëndë psikologjike për mbi 2 javë duhet t’ju nxisë për një konsultë me psikologun.

Hipotiroidizmi

Tiroidja është një gjendër endokrine me funksion kontrollin e metabolizmit. Kur gjendra nuk funksionon në rregull, personi do të ndjejë dobësi, lodhje si edhe do të fillojë të shtojë në peshë. Nëse nëpërmjet dozimit të hormoneve të tiroides vërehen nivele të ulëta është i nevojshëm zëvendësimi terapeutik i hormoneve.

Konsumi i tepruar i kafesë

Kafeina në doza të reduktuara mund të përmirësojë koncentrimin dhe vigjilencën. Por kur konsumohet në sasi të madhe shkakton rritje të ritmit të zemrës, rritjen e presionit  të gjakut, nervozizëm, lodhje etj. Zgjidhja është reduktimi gradual i konsumit të kafesë, çajit, çokollatës, dhe çdo medikamenti që përmban kafeinë. Lënia e menjëhershme e konsumit të këtyre produkteve mund të shkaktojë simptoma të tërheqjes (abstinencës) dhe rritje të ndjenjës së lodhjes.

Infeksionet e fshehta urinare

Shpesh herë simptoma e vetme e një infeksioni urinar është lodhja. Bërja e një testi urinar konfirmon infeksionin. Me përdorimin e antibiotikëve zakonisht fashitet edhe lodhja.

Diabeti

Tek diabetikët, edhe pse konsumimi i ushqimit është i mjaftueshëm, glukoza nuk arrin deri në brendësi të qelizës ku do të konvertohet në energji dhe kështu organizmi do ndjejë lodhje dhe dobësi. Nëse ndjesia e lodhjes persiston në mënyrë të pa shpjegueshme, është e arsyeshme dozimi i glukozës në gjak. Në trajtimin e diabetit përfshihet: ndryshimi i stilit të jetesës, dieta, ushtrime fizike, terapia me insulinë etj.

Dehidrimi

Lodhja mund të jetë shenja e parë e dehidrimit. I rekomandueshëm është konsumimi i të paktën 2 gotave ujë në orë, gjatë një aktiviteti fizik.