Rusia nuk ka ndërmend të sulmojë Europën apo ndonjë vend të NATO-s, as Poloninë, shtetet Baltike apo Republikën Çeke, por nëse Perëndimi do të furnizojë Ukrainën me avionë luftarakë F-16, atëherë do t’i rrëzojë “kudo që të jenë”. 

Kështu ka deklaruar të mërkurën presidenti Vladimir Putin duke folur me pilotët ushtarakë në një qendër të aviacionit në Tver, në veri-perëndim të Rusisë, në udhëtimin e tij të parë pas rizgjedhjes për një mandat të pestë në Kremlin. Sipas Putin, vendet perëndimore “frikësojnë popullsinë e tyre me një “kërcënim të mundshëm rus” për të justifikuar tkurrjen e ekonomive të tyre dhe cilësinë e jetës.

Më tej ai shtoi, “Ne nuk kemi synime agresive ndaj këtyre shteteve” “Kurrë nuk do të kishim bërë asgjë në Ukrainë nëse nuk do të kishte ndodhur një grusht shteti dhe më pas operacionet ushtarake në Donbas”. 

Ata e filluan luftën në vitin 2014,” tha ai, duke e përcaktuar kryengritjen e Maidan të tetë viteve më parë si një grusht shteti dhe të denoncojnë shkeljen e Marrëveshjeve të mëvonshme të Minskut.

Sipas transkriptit të takimit të shpërndarë të enjten nga Kremlini, Putin ka ribërë të qartë: “Pra, kjo është një absurditet total, ideja e një sulmi ndaj vendeve të tjera – Polonia, shtetet baltike dhe madje edhe çekët kanë frikë. Janë thjesht budallallëqe, një mënyrë tjetër për të mashtruar popullatën dhe për të shtrënguar njerëzit të paguajnë shpenzime shtesë, duke i detyruar ata të mbartin këtë barrë mbi supet e tyre. Kjo është e gjitha”.

Ndërsa për ata që pyetën nëse do të lejohej goditja e avionëve luftarakë F16 që Perëndimi ka premtuar të dërgojë në Ukrainë edhe në aeroportet e NATO-s, Putin u përgjigj se të tillë avionë nuk do të ndryshojnë “situatën në fushën e betejës” në Ukrainë.

“Dhe ne do t’i shkatërrojmë avionët ashtu siç shkatërrojmë sot tanket, automjetet e blinduara dhe pajisjet e tjera, përfshirë lëshuesit e raketave. Sigurisht, nëse do të përdoren nga aeroportet e vendeve të treta, ato do të bëhen për ne objektiva të ligjshme, kudo që të jenë. Dhe F-16 janë gjithashtu mbartës të armëve bërthamore, dhe ne do të duhet të marrim këtë në konsideratë”

Këto deklarata që sipas ish-këshilltarit presidencial dhe politologut Sergej Markov, janë “një paralajmërim i qartë’ i Putin për vendet e NATO-s: nëse do të hiqni dorë nga aeroportet tuaja për operacionet e luftimeve të forcave të armatosura ukrainase, ne do t’i godasim. Problemi është se në Ukrainë, aktualisht nuk ka aeroporte për F-16. Prandaj, NATO po vlerëson mundësinë e nisjes së avionëve ukrainas F16 nga aeroportet në Poloni dhe Rumani. Ndërsa Putin i paralajmëron: “Atëherë do i godasim”.