Në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë në ambientet e Qendrës Kulturore të Fëmijëve Këshilli i Qarkut Durrës në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore organizon nga data 22 tetor – 2 nëntor konkursin midis shkollave të mesme të gjithë qarkut të Durrësit. Në të morën pjesë 12 shkolla të mesme të qarkut, nga ku u përzgjodhën 4 shkolla, të cilat do të vazhdojnë këtë javë konkurimin midis tyre.

Ekipi për çdo shkollë përbëhet nga 6 nxënës. Nxënësit e shkollave të mesme u prezantuan në këtë konkurs me spote publicitare, albume fotografish, të cilat përmbanin foto nga historia 100 vjeçare e Durrësit gjithashtu dhe  figurat më të shquara të qytetit të Durrësit si: Leonik Tomeo, Jan Kukuzeli, Aleksandër Moisiu, Bujar Nishani, vizita e Princ Vidit në Durrës, Esat Pash Toptani, atdhetari Don Nikoll Kaçorri, Edit Durhami, Ahmet Zogu. Në autenticitetin e lashtësisë së Shqipërisë, u paraqitën albume me foto  të Torrës Veneciane, Mbretëreshës Teutë, Bulevardit Zogu i Parë, Amfiteatrit dhe mureve fortifikuese të qytetit etj.

Historiku i këtyre fotove u hartua dhe u shfaq nga vetë nxënësit e këtyre shkollave. Në këtë konkurs përveç spoteve publicitare dhe prezantimeve të albumeve, u zhvillua dhe një konkurs me pyetje teorike të ndara në 6 kategori. Përfaqësuesit e çdo skuadre tërhiqnin nga një tezë, e cila kishte brenda një pyetje. Të hënën, në datë 22 tetor, të parët që hapën siparin e këtij konkursi ishin 3 shkollat e mesme “Naim Frashëri” Durrës, “Skënderbeu" Krujë, dhe “Kajo Karafili” Maminas.

Fituese e ditës së parë të konkursit ishte shkolla  “Naim Frashëri” Durrës, e cila solli një spot publicitar të mrekullueshëm. Të martën më 23 tetor në konkursin ndërmjet shkollave të mesme, morën pjesë në konkurs 3 shkollat e mesme “Olsi Lasko” Durrës, "16 Shtatori" Shijak dhe “Shkolla e Bashkuar” Katund i Ri. Fituese e ditës së dytë, doli shkolla e mesme “Olsi Lasko” Durrës.  Të mërkurën në datë 24 tetor, në konkursin ndërmjet shkollave të mesme “Gjergj Kastrioti” Durrës, “Shkolla  e Mesme Manëz” dhe “Shote Galica” Fushë-Krujë fituese doli shkolla e mesme e Fushë-Krujës. Ditën e katërt betejën mes “Leonik Tomeo” Durrës, “Shkolla e Mesme” Sukth dhe “Shkolla e Mesme e Bashkuar”  Ishëm e fitoi shkolla e mesme “Leonik Tomeo”.

Katër shkollat fituese të fazës eleminatore do të konkurojnë mes tyre për të zgjedhur fituesen e këtij konkursi. Sot, në datë 29 tetor konkurojnë ndërmjet tyre 2 shkollat e mesme “Naim Frashëri” dhe “Gjergj Kastrioti”. Në datë 30 tetor është rradha e shkollave të mesme “Shote Galica” dhe “Leonik Tomeo”. Finalja zhvillohet në datë 2 nëntor, ku do të shpallet dhe shkolla fituese e çmimit të parë në konkursin e historisë, të zhvilluar në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë.

Historiani Sali Hidri, anëtar i jurisë së këtij konkursi përshëndeti nismën e ndërmarrë nga nxënësit e të gjitha shkollave të mesme, të cilët shfaqën denjësisht aftësitë e tyre për periudhën e pavarësisë. Ai i përgëzoi këta të rinj për grumbullimin e këtyre materialeve, duke theksuar se kjo tregon dashurinë dhe respektin që ka brezi i ri për grumbullimin dhe ruajtjen e dokumentacioneve historike.

“Ky aktivitet shërben si një hap përpara i këtij brezi për të ashtuquajturin album historik. Këto shkolla kanë shfaqur në mënyrë artistike albumet me historikun 100 vjeçar të shtetit shqiptar”,- tha Hidri. Historiani i shquar theksoi se këto albume janë libra për t’u mbajtur në dorë si suvenire apo dhurata. Sipas tij ato duhet të shumëfishohen, sepse janë një dokument me vlerë për të gjithë qytetarët e Durrësit, por dhe jashtë tij.