Arrestohet 47-vjeçari në Shkodër. Uniformat blu bëjnë me dije se Luan Shpinagri mbante armë zjarri në restorant, gati për qitje dhe se gjatë kontrolleve nga policia tentoi të largohej.

Sakaq arma që mbahej pa leje është sekuestruar.

Njoftimi:

Kontrolle të shtuara për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.

Mbante armë zjarri në restorant, me fishek në fole, gati për qitje, tentoi të largohej kur pa shërbimet e Policisë, kapet dhe vihet në pranga 47-vjeçari.

Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë që mbahej pa leje nga 47-vjeçari me precedent kriminal në fushën e krimit të organizuar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në vijim të kontrolleve në ambiente të ndryshme, për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo sende të tjera të kundërligjshme, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për një shtetas që qarkullonte me armë, kanë organizuar menjëherë punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Gjatë kontrolleve, në një restorant, në vendin e quajtur “Sarreç”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasin L. Sh. që mbante një armë, i cili kur ka parë shërbimet e Policisë, ka tentuar të largohet me vrap, por është neutralizuar dhe vënë në pranga menjëherë nga shërbimet e Policisë.

Arma e zjarrit pistoletë u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve shtetasi L. Sh., 47 vjeç u arrestua në flagrancë dhe materialet i kaluan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.