Një 53-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Himarës, pasi dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër, pas një konflikti për motive të dobëta me një shtetas.
Operacioni i koduar “Bunec” u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, pas një njoftimi për të shtëna me armë zjarri në fshatin Bunec.
Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi F. L., 53 vjeç, banues në Bunec.
Nga veprimet hetimore paraprake dyshohet se 53-vjeçari, pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasin M. D., ka nxjerrë një pistoletë dhe ka qëlluar me armë zjarri në ajër.
Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit pistoletë, krehërin e saj dhe fishekët.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme, ndërsa 53-vjeçari dyshohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”.





