Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, tha sot se Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për krijimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, një institucion financiar që do t’i shërbejë nxitjes së zhvillimit ekonomik duke mbështetur me fonde të sektorëve të nënfinancuar. Në një deklaratë për mediet, Ibrahimaj bëri të ditur se ky institucion është krijuar bazuar në eksperiencat më të mira të institucioneve të ngjashme në BE.
Ajo shtoi se kjo do të japë mundësi shtesë për rritjen e qasjes në financë të asaj pjese të popullatës e pashërbyer nga sektori bankar, apo ndodhen në zona rurale përmes produkteve të kursimit që do të mblidhen dhe përdoren për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Ka për synim të financojë zhvillimin e infrastrukturës fizike dhe digjitale, të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të financojë projekte infrastrukturore dhe gjithashtu të mbështesë eksportet shqiptare.
Gjithashtu, ka për synim që të bashkëpunojë me institucionet financiare ndërkombëtare të BE-së që kanë në dispozicion fonde të drejtuara drejt vendeve anëtare dhe atyre në proces anëtarësimi në BE, me qëllim rritjen e produktivitet, konkurrueshmërisë dhe lehtësimin e hyrjes në tregun e BE-së”, tha Ibrahimaj.