Qeveria ka shpalosur një plan ambicioz për strehimin social, duke premtuar dhjetëfishimin e fondeve deri në vitin 2030. Plani përfshin disa programe lehtësuese për familjet dhe individët në nevojë, si banesa me çmim të ulët, qira të subvencionuara dhe kredi me interesa zero ose të ulëta.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se qeveria do të fokusohet kryesisht në mbështetjen e bashkive me më pak mundësi financiare. Sipas tij, në kuadër të reformës, sektori privat do të detyrohet të transferojë 3% të sipërfaqes së ndërtimit ose një vlerë ekuivalente monetare për strehimin social. Ky mekanizëm ka krijuar tashmë një stok publik prej 117,823 m² banesa sociale dhe një fond prej mbi 35 milionë euro.

Rritja e mbështetjes për familjet dhe të rinjtë

Vetëm për vitin 2025, qeveria ka hapur thirrjen për 530 kuota të reja të kredive të buta për familjet dhe të rinjtë që punojnë në administratën publike. Ndërkohë, 43 bashki kanë paraqitur 55 projekte për ndërtimin e banesave sociale.

Ministri Gonxhja tha se deri në vitin 2030 synohet që 50 mijë familje të përfitojnë nga një program prej 300 milionë eurosh për strehimin e familjeve, studentëve dhe emigrantëve. “Nga një buxhet prej 8 milionë eurosh që kemi sot, synojmë ta çojmë në 75-80 milionë euro në vit, duke dhjetëfishuar mbështetjen për strehimin social,” tha ai.

Në kuadër të kësaj reforme, qeveria planifikon të shfrytëzojë pronat shtetërore të pashfrytëzuara dhe të orientojë ndërtimet e reja për të përmbushur nevojat e familjeve që nuk kanë mundësi të sigurojnë një shtëpi.