Sot në orën 18:00 do të mbahet protesta e tretë në Tiranë, lidhur me çështjen e Zvërnecit. Një ditë më parë, mijëra qytetarë u mblodhën fillimisht pranë Ministrisë së Brendshme dhe më pas marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, duke bërë thirrje se Shqipëria nuk është në shitje.
Gjatë tubimit disa protestues rrethuan me tel me gjemba edhe godinën e Ministrisë së Brendshme, si shenjë e pakënaqësisë për situatën dhe për të kërkuar mbrojtjen e Zvërnecit. Protestuesit mbajtën fjalime, ku kërkuan dorëheqjen e Kryeministri Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari. Tubimi u shoqërua gjithashtu me thirrje të forta nga turma, ku u dëgjua vazhdimisht ultimatumi: “Keni 24 orë afat, lironi zyrat!”.
Protestuesit kërkojnë anulimin e projektit të ndërtimit në zonën e Zvërnecit, duke e cilësuar atë si ndërhyrje në një zonë të mbrojtur dhe duke akuzuar qeverinë për favorizim të interesave private në dëm të pronës publike. Nga ana tjetër, ata pretendojnë se investitorë të ndryshëm po përfitojnë nga toka shtetërore në mënyrë të padrejtë.





