Gjatë replikave në Kuvend mes Edi Ramës dhe ish- kryeministrit Sali Berisha, kreu i qeverisë akuzoi gjykatësen nga Durrësi, Joana Qeleshi, për largimin nga Shqipëria të firmës Omnix, pas rrahjes së biznesmenit libanez, i cili do të investonte në Gjirin e Lalzit.
Rama është shprehur se biznesmeni ka shkuar në zyrën e tij dhe i ka treguar se i ka zgjidhur të gjitha problemet administrative, por në korrik, gjykatëse dha një vendim që 45 dynymë nga sipërfaqja ku do ngihej resorti turistik t’i njihej si pronë familjes Seçuni nga Durrësi.
“Sa herë merr fjalën do të na çosh për vizitë në varrezën e kujtimeve të tua. Ato mbaji për vete dhe thuaji para pasqyrës. Se përmes pasqyrës sipërmarrësi mund të shohë plagët e asaj që ngrite ti. Ai ka ardhur në zyrën time pasi ne kemi marrë detyrën, më ka treguar kalvarin e zvarritjeve dhe viteve të tëra kur nuk merrte dot zgjidhe për probleme të natyrës administrative. Qeveria jonë ja ka zgjidhur një më një të gjitha problemet. Pas zgjidhjes, pa pritur e pa kuptuar del dhe i jep dajak një gjykatëse që kthen në mënyrën më abuzive pronë brenda zonës së investimit. E kthen pronën në korrik të këtij viti që bëhet shkak për shpërthimin e atij konflikti”,- tha Rama.
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka urdhëruar hapjen e një hetimi administrativ për vendimin e Gjykatës së Durrësit që i njohu pronën ku do të ndërtohej resorti turistik i Lalzit një familjeje nga Durrësi. Bëhet fjalë për vendin ku kompania “Omnix Albania” do të ndërtonte një kompleks gjigand turistik më vlerë 450 milionë dollarë, e ku do i jepej mundësi punësimi 1200 personave. Deri para 6 muajsh, e gjithë sipërfaqja rezultonte pasuri e paluajtshme publike në regjistrat e shtetit, por më datë 25 mars të këtij viti, Gjykata e Durrësit, përkatësisht gjykatësja Joana Qeleshi ka dhënë vendim që 45 dynymë nga kjo sipërfaqe t’i njihet si pronë familjes Seçuni nga Durrësi.





