TIRANE – Në fjalën e tij në mbyllje të konferencës ndërkombëtare “Shqipëria dhe Kriza”, kryetari i opozitës, Edi Rama, foli mbi rrugëdaljet që propozon opozita për zgjidhjen e krizës ekonomike në Shqipëri.

Edi Rama analizoi të gjithë sektorët, që nga ndërtimi deri tek ai rural, të gjithë të përfshirë nga kriza për shkak të mungesës së vizionit për një zhvillim afatgjatë nga ana e qeverisë Berisha. Për të shpjeguar këtë Rama përmendi nivelin dramatik të borxhit kombëtar.

“Çdo shqiptar, madje edhe çdo foshnjë që do të lindë në 2013, do të ketë një borxh 3 mijë dollarë në vit, apo tri herë më të lartë se në vitin 2005. Unë nuk mund të premtoj se ne do ta shndërrojmë ekonominë brenda natës. Do të na duhet kohë dhe vendosmëri. Unë nuk mund të premtoj se një votë për mua sot, do të garantojë punë për të gjithë nesër. Por mund të premtoj që nëse njerëzit do të na marrin në punë, ne do t’i përkushtohemi me të gjitha fuqitë dhe eksperiencën udhëheqëse së një procesi transformues të qeverisjes për një Rilindje Shqiptare’’,- theksoi kreu i PS.

Rama tha se qeveria që premtoi mrekullinë po e çon vendin në humnerë ekonomike.