Kryeministri Edi Rama ka pritur sot në një takim 150 maturantët më të mirë në Shqipëri, të cilët kanë fituar të gjithë shkollën e lartë.

“Më të paktët kanë fituar 4 degë. Ky është kuptimi që kjo reformë kuptimplotë, funksionon më së miri në radhë të parë për më të mirët”, tha Rama.

“Deri vjet, pasi bëje zgjedhjen nuk mund të ndryshoje më as degën as mendjen, dhe llogarite tani kur është kaq e vështirë për të zgjedhur degët dhe programet sa e vështirë është të bësh renditjen dhe llogaritë, …fitonte gjithmonë alternativa e parë që zgjidhte. S’kishte mundësi korrigjimi sistemi, ishte i destinuar maturanti që të shkonte në secilën degë që e kishte imponuar nga halli që në moshën 15 vjeç. Nëse sot për arsye të ndryshme ngrihet pretendimi se u penalizuan ekselentët, e vërteta është se kemi shembur një sistem që ngrihet mbi penalizimin ekselent”, u shpreh Rama.

Më tej ai vijoi duke shpjeguar se “Ky sistem për herë të parë garanton më të mirët. Hera e parë me siguri që nga viti 1990 që më të mirët janë të privilegjuar”.

Por teksa shefi i qeverisë fliste, një grup studentësh ishin mbledhur para kryeministrisë për të protestuar kundër sistemit të pranimit në Universitete duke e quajtur të padrejtë. Mesa duket Rama u bezdis nga fjalët e tyre që bërtisnin me megafon dhe përgjigjen ua dha studentëve ekselentë që kishte përpara.

“Ja e morën vesh që ju jeni këtu dhe vijnë bërtasin dhe s’dinë për çfarë bërtasin, çfarë thonë, çfarë kërkojnë. Në vend të studiojnë gjithë skemën, rrinë në rrugë dhe bërtasin. Por sikur të ishin vetëm këta do ta zgjidhnim, por s’janë vetëm këta, se jua çorodisin mendjen të tjerët”.