Teksa ka vijuar turin e falenderimeve këtë të shtunë në Vlorë, kryeministri Rama nuk i ka kursyer kritikat për të tijët. Rama u ndal te hipoteka e Vlorës dhe tha se kjo hipotekë është turp i PS.

“Nuk kemi marrë votën e vlonjatëve për hipotekën e Vlorës. Hipoteka e Vlorës është turpi i PS-së së Vlorës dhe PS së Shqipërisë”.

Kreu i qeverisë theksoi se ka njerëz që kanë turpëruar PS edhe nga qeveria qendrore. Më tej ai tha se njerëzit e këqinj nuk duhet të kenë vend në këtë parti.

Mora një shembull, mund të marr dhe të tjerë, nga qeveria qëndrore po të doni për njerëz që na kanë turpëruar. Këto shembuj na vlejnë jo për të thënë që nuk kemi punë por ato gjëra që janë bërë keq të mos bëhen më keq dhe njerëzit e këqinj të mos kenë vend në asnjë vend ku PS përfaqësohet pavarësisht se kë kanë krushk, gjak apo miqësi. Është e rëndësishme në partinë e Vlorës të bëhet një reflektim për këtë, jo instrument i përfitimeve të një grushti njerëzish. Njerëzit e mirë e të përkushtuar duhet ta gjejnë vendin në këtë parti.