Akuzat e opozitës se qeveria “po e jep Parkun e Butrintit me koncesion” nisën që në vitin 2022. Shkak u bë fakti që Butrinti do të menaxhohej për 10 vite nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, pas marrëveshjes me Ministrinë e Kulturës.
“Do jetë zona e parë pa asnjë përqindje karboni”, theksoi kryeministri Edi Rama asokohe, duke i konsideruar “mungesë vizioni” pretendimet e palës kundërshtare. Edhe vetë kryetari i bordit të këtij fondacioni Michael Granoff në atë kohë nënvizoi se qëllimi i vetëm është investimi për mbrojtjen e Parkut.
Pasi kanë kaluar më shumë se dy vite, Rama e solli sot në kujtesë, teksa fliste për qendrat teknologjike me kontribut të posaçëm nga fondacioni.
“Ne sot jemi në kushtet kur po zhvillohet në mënyrë intensive, interesi por edhe praktika e studimeve të të gjitha niveleve për teknologjinë e re dhe duke qenë se në këtë program të ri ka një kontribut të posaçëm edhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan, dua të theksoj që falë kontributit të këtij fondacioni Fondacioni Shqiptaro-Amerikan në fakt ju e njihni si fondacioni që grabiti Butrintin, se këto të tjerat nuk janë shumë publike, po besoj e keni dëgjuar që Butrinti është grabitur”, tha Rama.
“Kështu që kur të shkoni në Sarandë për pushime mos shkoni në Butrint se nuk është më aty. Janë marrë të gjithë gurët e vjetër, është ngritur në hava e gjithë zona dhe e kanë çuar diku që nuk dihet akoma se ku, por nuk është bërë shumë publike se çfarë bën Fondacioni Shqiptaro Amerikan për teknologjinë”, përfundoi kreu i qeverisë.