Nga Prishtina, kryeministri Edi Rama, ka folur edhe për iniciativën Ballkani i Hapur.

Rama tha se edhe pas tensioneve të fundit Kosovë-Serbi nuk ka ndryshuar qëndrim për Ballkanin e Hapur.

Për Ramën është e pashmangshme dita kur shqiptarët do të jetojnë në një hapësirë të përbashkët dhe Serbia do të njohë Kosovën e do të kërkojë falje për krimet e luftës.

“Kam pas shumë mesazhe këto ditë për shkak të situatës së krijuar nga Kosova, ku pavarësisht toneve, thelbi ishte: ‘po tani a je i bindur që nuk bëhet Ballkani i Hapur me Serbinë?’. Por tani jam dhe më i bindur që ‘Ballkani  Hapur’ është rruga jonë e përbashkët, për të mirën tonë të përbashkët. Natyrisht që kemi mosdakordësi në këtë pikë me Albinin, por kjo është mosdakordësi e natyrës politike dhe ne duhet ta trajtojmë si të tillë, marrdhëniet tona nuk ndikohen në shëndetin e tyre se kemi këtë mosdakordësi. Themeli i dakordësisë sonë është kombëtare, vëllazërore dhe përtej çdo mosdakordësie tjetër politike. Është e pashmangshme dita kur Serbia do ta njohë Kosovën dhe do të vijë kërkesa e pashmangshme e faljes nga Serbia për krimet e paharrueshme në Kosovë. Pyetja është çfarë mund të bëjmë ne për ta afruar atë ditë. Por këto arsyetime nuk janë kurrsesi arsye për të vënë në pikëpyetje dashurinë për atdheun dhe vëllazërinë dhe respektin për njëri-tjetrin. Dashurinë për Shqipërinë nuk e kam ndarë nga dashuria për Kosovën”, tha Rama.