Kryeministri Edi Rama, ka ndarë lajmin mbi një fazë të re dhe ambicioze të zhvillimit për Forcat e Armatosura të Shqipërisë, duke u fokusuar te rigjallërimi i industrisë ushtarake në vend.

Në podcastin e tij “Flasim”, Rama e vuri theksin te modernizimi i Forcave të Armatosura i cili sipas tij nuk po kufizohet vetëm te përmirësimi i sistemit mbrojtës, por synon krijimin e një zinxhiri të qëndrueshëm profesional dhe industrial.

Ai u shpreh se, partneriteti me Fincantierin u shtri në një partneritet edhe me shkollën industriale “Pavarësia” të Vlorës, pasi në kantierin e ri të Pashalimanit, baza e re prodhuese do të kërkojë 500 të reja e të rinj, teknikë, inxhinierë dhe informaticienë.

Pjesë nga podkasti:

“Kemi hyrë në një fazë të re në historinë e Forcave tona të Armatosura. Kapitulli i ri është jo vetëm fuqizimi i gjithë sistemit tonë të mbrojtjes, por edhe rilindja e industrisë sonë ushtarake. Për këtë janë hedhur një sërë hapash dhe këtë javë u hodh një tjetër hap. Partneriteti me Fincantierin u shtri në një partneritet edhe me shkollën industriale “Pavarësia” të Vlorës, pasi në kantierin e ri të Pashalimanit, baza e re prodhuese do të kërkojë 500 të reja e të rinj, teknikë, inxhinierë dhe informaticienë.

Për këtë arsye është bërë kjo marrëveshje dhe do të fillojë, paralelisht me ndërtimin e kantierit, edhe puna për trajnimin e të rejave dhe të rinjve që do të përzgjidhen nga “Fincantieri Albania”. Ata do të trajnohen, qoftë në Pashaliman, qoftë në kantierin mëmë të kompanisë globale të ekselencës italiane në brigjet e Italisë.”, u shpreh Rama.