Që në nisje të komunikimit të tij virtual me qytetarët në rubrikën “Sy m’sy”, kryeministri Edi Rama nuk hezitoi ta cilësojë kampin opozitar, një “fund kënete që administrojnë edhe profile të rreme”.

“Është krijuar një armatë me profile fallco, jo vetëm njerëz që vënë një profil tjetër për tjetër nga vetja, por edhe profile që mesa duket administrohen nga persona të interesuar për këtë betejë dhe që vijnë me mesazhe nga fundi i kënetës. Imagjinoni se ç’është fundi i kënetës!”, tha Rama.

Më tej, teksa foli për luftën anti-korrupsion, theksoi se aktualisht ka një mbulim histerik të kësaj teme. Te kjo e fundit, tha se “është plotësisht e mobilizuar opozita”.

“Perceptimi i korrupsionit forcohet paralelisht me progresin, është ky paradoksi që ekziston. Në vend që në atë fazë të ndërmjetme të krijohet më shumë besim, qetësi, bindje lidhur me përparimet, krijohet  një atmosferë cinizmi, mohimi i gjithçkaje. Faktikisht, unë këtu kam përpara një nga studimet. Thuhet se bërja publike e qëllimeve, e të gjitha proceseve që stimulojnë luftën kundër korrupsionit, duke i bërë hapat që hidhen të dukshëm për publikun çon në perceptimin që korrupsioni është ende më i përhapur. Sot kemi një mbulim histerik të gjithë temës së korrupsionit, në kanale, portale, lart e poshtë e poshtë e lart ku natyrisht këneta është e mbi mobilizuar, pavarësisht se është subjekt i drejtëpërdrejtë i luftës anti-korrupsion. Është e mobilizuar për të spërkatur me llumin e vetë këdo. Për ta përdorur SPAK-un si një mjet të vetin të luftës politike duke e vënë në lëvizje përmes presionit të llumit dhe denoncimeve të gjithanshme e shantazhi permanent. Kjo është njëra anë e medaljes, krijohet ideja se këtu janë të gjithë hajdutë. Por çfarë thonë faktet konkrete, pse BE e konsideron Shqipërinë si një prej vendeve që është gati për t’u bërë pjesë e BE-së”, u shpreh Rama në rubrikën e tij “Sy m’Sy”.