“Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme, e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, por pse jo një President simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë. Mbase ky parafytyrim sot mund të mos jetë i këshillueshëm në rrafshin e racionales, por historia për të cilën mora leje qysh në fillim për të mos folur sot, na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet, nuk është e pamundur të realizohet”.

Ky propozim për një president të përbashkët për Shqipërinë dhe Kosovën, bërë në seancën solemne në 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, nuk ishte një propozim konkret i cili mund të marrë udhë në një të ardhme të afërt, por një imagjinatë. Këtë të paktën thotë vetë, Kryeministri Edi Rama në një intervistë për Televizionin Klan, i cili sqaron qëllimin e kësaj deklarate.

“Së pari nuk ishte një deklaratë, por ishte një imagjinatë. Ajo fjali vjen si rezultat i një sërë fjalish të mëparshme, ku ndër të tjera thuhet se Serbia dhe Kosova do të kenë kryer me sukses dialogun e tyre të vështirë. Ishte një imagjinatë, që lidhej me një moment jubilar”.

Rama e cilëson si të tepruar reagimin që shkaktoi propozimi i tij në Tiranë, në Prishtinë, në rajon dhe Bruksel, ndërsa thotë se ai është nxjerrë nga konteksti i fjalimit të tij.

“Ky sport kombëtar që edhe ndërkombëtar shpeshherë, ku merret një fjali, nxirret nga konteksti dhe pastaj për fat të keq dëmtohet ajo çka mendohet se po riparohet, i mbetet vetëm konsumit të ditës. Ndërkohë që fjala ime në Kuvendin e Kosovës, ishte një fjalë e mirë menduar dhe e ndjerë deri në fund. Merret në konsideratë i gjithë konteksti, nuk ka asgjë as për t’u alarmuar, as për t’u çuditur dhe as për të reaguar a thua se ky ishte një program, apo një plan i shpallur, apo thua se kjo do të ndodhë sot, apo do të ndodhë nesër. Kjo mund të mos ndodhë kurrë, por edhe mund të ndodhë. Është thjeshtë çështje e një imagjinate, që bazohet tek e shkuara, synon të rrokë një nga mundësitë e të ardhmes. Edhe reagimi i Komisionit Europian, mund të konsiderohet politikisht korrekt, edhe pse në këndvështrimin tim, i tepërt dhe i panevojshëm”.

Reagimin që erdhi nga Serbia, Kryeministri e quan të natyrshëm. Ai nuk e sheh këtë deklaratë të tij aspak të lidhur me procesin e negociatave Kosovë-Serbi e aq më pak të mund të ndikojë në këtë proces.

“Në rastin e Serbisë, është edhe më e qartë që këto reagime nuk mund të mungojnë kurrë, sepse Serbia akoma jeton me idenë se Kosova nuk është e shqiptarëve, Kosova nuk është e Kosovës, por është një krahinë e Serbisë. Dhe për sa kohë ata mendojë se Kosova është një krahinë e Serbisë, mund të vazhdojnë të flasin”.

Propozimi i Kryeministrit Rama për president të përbashkët si simbol i unitetit kombëtar, por dhe një politikë të jashtme dhe politikë të sigurisë kombëtare ngjalli një reagim të fortë. Tv Klan