Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është takuar këtë të mërkurë, 1 korrik me kryeministrin e landit gjerman Nordrhein-Westfalen, Hendrik Wüst, në kuadër të një vizite zyrtare në Gjermani.

Takimi u fokusua në forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe një prej rajoneve më të fuqishme ekonomike dhe industriale të Gjermanisë, me theks të veçantë në investimet e huaja, zhvillimin e teknologjisë digjitale, arsimin profesional dhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Gjatë vizitës në Landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë (Nordrhein-Westfalen-NRW), Rama do të marrë pjesë në “Ruhr Summit”, një nga ngjarjet më të rëndësishme në Europë të dedikuara inovacionit, sipërmarrjes dhe teknologjisë.

Kryeministri gjithashtu pritet të mbajë fjalën në panelin kryesor me temë “IA, Fuqia dhe Progresi: Rishikimi i Lidershipit për një Epokë të Re”, ku do të trajtohen sfidat dhe mundësitë e inteligjencës artificiale në zhvillimin global.

Në vijim të agjendës, Rama do të marrë pjesë edhe në diskutimin me temë “IA mes Inovacionit, Rregullimit dhe Përgjegjësisë”, së bashku me përfaqësues të sektorit të teknologjisë, biznesit dhe konsulencës ndërkombëtare.