Kryeministri Edi Rama ka zbardhur detaje nga mbledhja e zhvilluar me ministrat dhe drejtuesit politikë këtë të premte në Vilën e Kuqe, përmes një reagimi në rrjetin social Facebook.

Kreu i qeverisë ka bërë me dije se fokusi i punës ka qenë detajimi i programit për sezonin e ri politik, ku përfshihen kalendarizimi i pranisë në terren, ndërveprimi mes qeverisë e deputetëve, si dhe ndryshimet ligjore për platformën “Pasqyrë Albania”.

Teksa njoftoi edhe mbajtjen e një Konference Kombëtare në muajin nëntor lidhur me nismën “Shqipëria Sociale”, Rama shkruan:

“Vijuam sot punën intensive për detajimin e programit të sezonit të ri, duke nisur nga  kalendarizimi i Pranisë Besnike në çdo territor, mekanizmat e rinj të ndërveprimit qeveri deputetë në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të shërbimeve publike qendrore e vendore,  si edhe hartimi i ndryshimeve ligjore për PasqyrAlbania.

Po ashtu u diskutua progresi i bërë me hartimin e nismës  së integruar Shqipëria Sociale, të cilës do t’i kushtohet një Konferencë e posaçme Kombëtare në muajin nëntor”.