Qyteti i Durrësit u çlirua më 14 nëntor 1944. Gazeta “Dyrrah” vë në dispozicion të lexuesve të saj një material eksluziv me kujtime të personit që ka hyrë i pari në qytetin e çliruar. Së bashku me të sjellim edhe një foto eksluzive mbi takimin e partizanëve dhe festën në qytet. Veterani Ramazan Vogli i ka lënë të shkruara kujtimet e tij nga atmosfera historike e kësaj dite. Kujtimet e tij Vogli i hodhi në letër në vitin 1989, me rastin e 45 vjetorit të çlirimit të vendit.

Duke u nisur si nga kujtimet e historianëve, ashtu edhe nga shënimet e ish partizanit Vogli, mësohet se për çlirimin e qytetit nuk është zbrazur asnjë pushkë, pasi gjermanët u larguan dhe në tërheqje e sipër hodhën në erë pjesë të infrastrukturës. Në të njëjtën kohë në kujtimet e tij Vogli polemizon me historianët, pasi shkruan se Shijaku u çlirua në të njëjtën ditë me Durrësin e Kavajën e jo më 16 nëntor.

Në Durrës, gjatë atyre ditëve, kishte vetëm disa dhjetëra punëtorë shqiptarë, që mund të hynin vetëm me leje për të punuar në fabrikën “Stamless”, në port, si dhe në ndonjë impiant tjetër me interes për prapavijën gjermane. Të gjithë banorët e tjerë ishin larguar forcërisht nga qyteti. Durrësi ka pasur një histori më vete të luftës.

Si rezultat i operacionit të koduar “Shëtitje në port”, banorët e tij u evakuan, duke u detyruar të lënë qytetin më 23 nëntor të vitit 1943, për t’u rikthyer vetëm në 14 nëntor të vitit 1944. Evakuimi ka përfshirë rreth 8 mijë persona që u detyruan të linin shtëpitë e tyre, për t’u strehuar në miq e të afërm në rrethinat e qytetit ose në qytete të tjera.

Rreth orës 04.30-05.00 forcat e Komandës së vendit  të N. Prefekturës së Durrësit arritën në hyrje të qytetit. Nga ecja e shpejtë ishin djersitur paçka se ishte ftohtë. Entuziazmi i tyre nuk përmbahej… Midis tyre kishte edhe durrsakë që ktheheshin pas një viti në qytetin e tyre që kur më 30 nëntor 1943 komandatura gjermane urdhëroj me forcë boshatisjen e qytetit, si rrjedhojë qyteti u kthye i pajetë

Sipas studiuesve ky ka qënë një rast i paprecedent në historinë e Luftës së Dytë Botërore ku Operacioni gjerman konsistonte në tre drejtime: 1) evakuimi me forcë i gjithë banorëve të qytetit; 2) minimi i qytetit, portit, vijës bregdetare, duke përfshirë plazhin e Durrësit; 3) internimi dhe dërgimi i njerëzve të Lëvizjes, kryesisht të rinj, në kampet e përqendrimit.

Memorialet e ish partizanit Ramazan Vogli

Në kujtimet e tij veterani Vogli përshkruan atmosferën kur po luftohej për çlirimin e Tiranës. Sipas tij kishte ditë e netë që armët e artilerisë nuk pushonin. Ishte kohë e ftohtë dhe binte shi me dëborë në vendin ku ndodhej Komanda në fshatin Memaj, pozicionuar aty për të mbajtur nën kontroll rrugën Ndroq-Plepa dhe Ndroq-4 Rrugët e Shijakut. Ai shkruan se rreth orës 02.00 të natës në vendkomandë ka shkuar një motoçikletë treçikël dhe personi që e drejtonte atë i është drejtuar banesës ku qe vendosur Këshilli N.Cl i Qarkut, Komanda e Qarkut. “Njeriu që zbriti me të shpejtë nga triçikli ishte një person i yni, Hilmi Hoxha, i cili njoftoi shpejt me emocione për largimin e forcave gjermane nga Durrësi”,- kujton Vogli. Më pas ai na sjell të plotë tablonë e hyrjes së tij me një person me emrin Bedi dhe me Hilmiun në qytet.

“Nisemi drejt Durrësit. Heshtje e madhe. Vetëm zhurma dhe dritat e triçiklit e prishnin qetësinë e natës. Arritëm tek Ura e Dajlanit. Shtyllat e postbllokut ishin hedhur nga e djathta, dukej që ndonjë mjet i rëndë t’i kishte hedhur ashtu gjysëm të thyera. Postë komanda i kishte dyer e dritare të hapura, brenda asgjë nuk ishte në vendin e vet. Tavolina dhe karriget e Komandantit gjerman ishin hedhur nëpër tokë në mënyrë të parregullt. Dhomat e fjetjes së ushtarëve paraqiteshin më keq gjë që tregonte rrëmujë, të provokuar nga nxitimi e nervozizmi.Tue pa gjëndjen në post komandë nuk kishte arësye të dyshohesh për të papritura në qytet… U nisëm me të shpejtë për në qytet, arritëm në hyrje dhe muarëm rrugën në lindje të qytetit që të çon tek banka kombëtare. Kjo rrugë nuk kishte pasur ndryshime, ishte po ajo rrugë e ngushtë e pashtruar siç ishte në nëntorin e 1943-shit. Nga banka muarëm sipër nga vila e u kthyem në qendër të qytetit. Kaluam nga fusha e aviacionit, u kthyem, ndaluam tek furri i grekut, pas tijë ishte kinema “Gloria” dhe u drejtuam me pamje nga ku sot është biblioteka e qytetit. Pasi vlerësuam gjëndjen konkrete, nisa për në Ndroq Bedin me Hilmiun me porosi që forcat e Komandës së vendit të N. prefekturës të niseshin sa më parë për në Durrës, të njoftohej Kavaja dhe Shijaku për gjendjen e krijuar dhe të hynin sa më parë në Kavajë dhe Shijak.

Hyrja e partizanëve në Durrës

Rreth orës 04.30-05.00 forcat e Komandës së vendit  të N. Prefekturës së Durrësit arritën në hyrje të qytetit. Nga ecja e shpejtë ishin djersitur paçka se ishte ftohtë. Entuziazmi i tyre nuk përmbahej… Midis tyre kishte edhe durrsakë që ktheheshin pas një viti në qytetin e tyre që kur më 30 nëntor 1943 komandatura gjermane urdhëroj me forcë boshatisjen e qytetit, si rrjedhojë qyteti u kthye i pajetë. Kishte vetëm ushtri gjermane e ndonjë shqiptar që jetonte me leje speciale nga garnizoni gjerman…Në pasditen e 14 nëntorit rreth orës 16.00 hynë në Durrës edhe forcat e brigadës së XII-të Sulmuese.

Robërit gjermanë denoncojnë minimin

Më 15 nëntor në mëngjes 2 partizanë të Komandës së vendit panë në dritaren e prapme të godinës ku sot është biblioteka e qytetit dy ushtarë gjermanë, mbasi e diskutuam atyre iu bë thirrje për dorëzim në gjermanisht. U dorëzuan menjeherë me gjithë armatimin që dispononin. Nga këta 2 djem rreth të 30- tave të mërzitur nga lufta, xhenjer, (minator) mësuam se qyteti ishte i minuar. Në fabrika kishin vendosur  mina, plasja e tyre do të bëhej menjëherë me ndezjen e motorrave dhe makinerive të tjera, në ndërtesa me kate, në kanalet e qytetit. Këta gjermanë u treguan shumë të dashur dhe të sjellshëm me ne. Na afruan ndihmën e tyre dhe punuan me ndërgjegje për çmontimin e minave, ndihmuan në heqjen e minave në plazhin e Durrësit deri sa dhanë dhe jetën e tyre gjate çmontimit të tyre…

Festa

Më 15 nëntor rreth orës 16.00 nga ballkoni i Komitetit Ekzekutiv K.N.Cl Prefekturës në prani të popullatës qytetarët e porsa ardhur i u organizue një miting. I pari e mori fjalën një shok i brigadës së XII-të S. nga ana jonë foli i riu Hamdi Sollaku. Mitingu u brohorit nga pjesmarrësit, pas mitingut u manifestua nëpër rrugët e qytetit deri në orët e vona.

Vogli, polemikë me historianët e kohës

Kujtimet që dhamë i përkasin ish partizanit Ramazan Vogli. Ai i ka shkruar ato në vitin 1989 me rastin e 45 vjetorit të çlirimit. Një kapitull më vete të shënimeve të tia përbëjnë polemikat që ai ka bërë me disa studiues për datën e çlirimit të qyteteve të Durrësit, Kavajës dhe Shijakut si dhe për faktin se kush e çliroi Durrësin. Në përfundimin e memorialeve rreth luftës, të shkruara në fletë të bardha me stilograf dhe me një shkrim mjaft të qartë dhe të kujdesshëm, ai ka lënë edhe një shënim, shënim që për respekt të punës që ka bërë dhe kurajos së treguar, megjithëse në atë kohë nuk u botuan, po e botojmë të plotë në faqet e “Dyrrah”.

Shënim: Me rastin e 45 vjetorit të çlirimit qytetit të Durrësit mu kërku një shkrim. Shkrimin e bëra e dërgova tek personi kërkuar, ky ja kaloj titullarit tijë. Ky i fundit ja kaloj historianit që nuk e dinte si u cliru qyteti. Historiani e mbajti pa e dërgu për botim dhe për 8 muaj mora vesh se nuk ishte pëlqye për faktin se qyteti (që u çlirue pa luftë) na qënka çliru nga brigada e XI-të dhe e XII-të Sulmuese dhe jo nga Komanda e Qarkut. Në fakt as ne që u futëm të parët as brigadat e XI-të e XII-të S nuk shprazën ndonjë fishek mbi trupat e armiqve. Flitet që historia është kokë fortë, ashtu duhet të jetë, por ja që historinë e bëjnë njerëzit me vendime subjektive. Psh. Kavaja, Durrësi, Shijaku u çliruan më 14 nëndor 1944, ndërsa kjo datë i mbeti Durrësit dhe Kavajës, ndërsa Shijaku, 10 km larg Durrësit, na qënka çliru më 16 nëndor, kur forcat e Rrogozhinës, Kavajës, Durrësit, u larguan përfundimisht nga Durrësi rreth orës 01.00 në të gdhirë të 14 nëndorit me i shpëtu zënjes së rrugës së Shkodrës. Lind pyetja me shfarë u larguan forcat gjermane nga Shijaku për në Shkodër kur në Vorë ishin forcat e Brigadës së XV-të S ?! Kështu që gabimisht i mbeti dita e çlirimit Shijakut ashtu si dhe çlirimi i Durrësit nga Brigada e XI-të dhe XII-të S.