Ish-ministri Genc Pollo, foli sot për raportin e publikuar një ditë më parë nga DASH për vendin tonë. I ftuar në rubrikën “Opinion” në New24, ai u shpreh se pasqyra në këtë raport është me keq se ajo e një viti me parë.

Pollo u shpreh se raporti paraqet një situatë më të keqe në vendin tonë, ku evidentohen disa pika kyçe.

“Skandali i patronazhistëve, rrjedhja e të dhënave, sulmet ndaj deputetëve të opozitës dhe medias, janë për herë të parë në këtë raport. Mesazhi është për popullin, që keni një gjendje të keqe dhe të tentoni ta ndalin dhe ta rregulloni”, tha ai.

Po ashtu, Pollo tha se kemi të bëjmë me një kontrast mes asaj që thonë diplomatët amerikanë në Tiranë, dhe raporti i DASH. Ai shtoi se ndryshimi tashmë vjen nga vota, dhe se ky raport nuk do ta stepë Edi Ramën të sulmojë bizneset dhe mediat, duke iu referuar shembjes së “Prestige Resort”, apo të ndalojë PPP.

“Është kambanë alarmi dhe nëse nuk ndryshon gjendja do jetë kambanë alarmi. Mesazhi është për qytetarët, që të dalin të votojnë. Mos prisni nga Rama që të anulojë PPP, të mos shembë bizneset e medias, sepse media i zbulon problemet e qeverisë, pas këtij raporti… këtë ndryshim do ta sjellë shoqëria, media e lirë, opozita”, tha Pollo.