Komisioni Europian vlerëson se Reforma në Drejtësi ka forcuar qëndrueshmërinë e sistemit gjyqësor në Shqipëri, por evidenton se vijojnë përpjekjet për ndikim të padrejtë ndaj institucioneve të drejtësisë.
Në raportin vjetor për shtetin e së drejtës, KE thekson se gjatë periudhës së raportimit janë konstatuar përpjekje nga zyrtarë publikë dhe politikanë, përfshirë nivele të larta të administratës shtetërore, për të ushtruar ndikim publik mbi institucionet e drejtësisë.
Raporti nënvizon gjithashtu vijimin e sulmeve personale ndaj magjistratëve në të gjitha nivelet, përfshirë edhe përfaqësues të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sipas dokumentit të Komisionit Europian, tetë magjistratë janë vendosur nën masa mbrojtjeje për shkak të kërcënimeve dhe presioneve të mundshme. Në mesin e tyre janë dy gjyqtarë dhe gjashtë prokurorë, përfshirë prokurorë të SPAK dhe ish-kryetarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Komisioni Europian i referohet edhe përplasjeve institucionale të shkaktuara pas vendimeve të drejtësisë ndaj zyrtarëve të nivelit të lartë. Në raport përmendet pezullimi nga detyra i një zyrtari të lartë me vendim të Gjykatës së Posaçme, si dhe kërkesa e SPAK-ut drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit parlamentar.
Sipas KE-së, këto zhvillime sollën reagime të forta nga përfaqësues të pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ, përfshirë kritika dhe sulme të drejtpërdrejta ndaj SPAK-ut dhe institucioneve gjyqësore. Ndërkohë, organet drejtuese të sistemit të drejtësisë reaguan duke denoncuar presionin politik ndaj gjyqësorit.
Raporti evidenton edhe problematika që lidhen me aksesin në drejtësi. Komisioni Europian nënvizon mangësi në ofrimin e ndihmës ligjore, infrastrukturën gjyqësore dhe sigurinë në gjykata.
Në fushën e luftës kundër korrupsionit, KE vlerëson se kuadri institucional është përmirësuar, por thekson se koordinimi mes institucioneve të drejtësisë dhe strukturave të zbatimit të ligjit mbetet një pikë e dobët.
“Rreziqet e korrupsionit vazhdojnë të jenë të përhapura në Policinë e Shtetit, prokurimin publik dhe sektorët me risk të lartë”, thuhet në raport.
Duke iu referuar procesit të vettingut, Komisioni Europian bën të ditur se deri në përfundim të procesit janë shkarkuar 456 gjyqtarë dhe prokurorë, ndërsa 348 prej tyre janë konfirmuar në detyrë. Këto të fundit përbëjnë rreth 43 për qind të rasteve të kontrolluara.





