Gjykata e Lartë ka reaguar pas deklaratave të Sali Berishës dhe Ervin Salianjit, të cilët akuzuan këtë institucion për manipulim të shortit për përzgjedhjen e relatorit që do të shqyrtojë rekursin e bërë nga ish-deputeti demokrat i cili ndodhet në burg.
Lidhur me akuzat se pse ndryshua trupa gjykuese për Salianjin, ku nga Albana Boksi çështja iu kalua Sokol Binajt, Gjykata e Lartë shprehet se ky i fundit ishte qenë relator edhe i ankimimit nga Salianji lidhur me pezullimin e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Apelit, kërkesë e cila u rrëzua dhe sipas ligjit nuk mund të jenë dy gjyqtarë të ndryshëm si relatorë.
“Për të respektuar përputhshmërinë me praktikën që është ndjekur në të gjitha rastet e kësaj natyre, është kryer kalimi i çështjes për shqyrtimin e rekursit tek gjyqtari Sokol Binaj, i cili është gjyqtari që ka shqyrtuar më parë kërkesën për pezullim të ekzekutimit të vendimit, e regjistruar me numrin 77303-00022-00-2024, datë 01.10.2024”, thuhet në reagimin e Gjykatës së Lartë.