Ish-kryetari i Forumit Rinor të PD-së në Durrës, Artion Barjamaj i ka bërë sot thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike Flamur Noka që të japë dorëheqen nga detyra që ai mban në parti. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bajramaj thekson se ka ardhur koha që të merren vendime në interes të kësaj force politike, përtej pëlqimeve personale.

Barjamaj rendit problematikat e krijuara në PD gjatë kësaj kohë, teksa Noka kryen funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm.

Barjamaj shprehet se Noka e ka mbaruar detyrën e tij dhe për rrjedhojë ka ardhur koha t’ia lërë këtë detyrë të rëndësishme dikujt tjetër që mund ta bëjë më mirë.

“Z.Noka, ka ardhur koha që ju të dorëhiqeni!
Përtej historikut për çdo kontributor në PD dhe përtej respektit personal, ka ardhur koha që të mendojmë e marrim vendime në interes të forcës politike. Situata është emergjente pasi diskutohet një tjetër rënie e PD pas këtyre zgjedhjeve, prandaj duhet të dalim përtej pëlqimeve personale.
Sekretari i përgjithshëm i PD ka pozicion kyç, sidomos në rastet kur ka një kryetar në moshë si Dr.Berisha.
Ai duhet:
Të jetë një politikan i mirëfillt karriere
Të njohi mirë statutin e PD, edhe ligjet e vendit
Të lexojë mirë partinë, të kuptojë fraksionet, ti balancojë ato të reduktojë maksimalisht pakënaqësitë e përçarjet
Të ndërmarri nisma politike në interes të vendit dhe popullit opozitar
Sekretari aktual performoi shumë mirë në kauzën kundër heqjes së lirisë së kryetarit të partisë, por vetëm ky ishte limiti u arritjeve.
Ai nuk arriti të performojë në:
1.Ndërrmarrjen e nismave politike në interes të vendit. Në fakt, as në interes të popullit opozitar. Gjatë heqjes së lirisë të kryetarit, ishte i vetmi që mund të ndërmerrte nisma politike për:
-Kodin zgjedhor
-Koalicionet parazgjedhore
Nuk patëm asnjë progres për këtë, kostot në mandate dihen.
2.Shkaktoi kosto të konsiderueshme për PD në zgjedhjet 2023 me këshillat bashkiak, duke mos respektuar premtimet e foltores dhe duke vendosur me emërime. Kjo i shkaktoi kandidatëve mijëra vota dëme.
3.Tregoi pakujdesi me kontraten e nënshkruar për lobimin Amerikan duke i dhënë regjimit në fuqi pak ditë para zgjedhjeve një kauzë për të sulmuar opozitën.
4.Nuk pati rezultat zgjedhor në zonat ku punoi.
5.Është ndër kontributorët kryesor të mbylljes së vazhdueshme të PD.
Teksa kryetarit Berisha i kërkohet të vazhdojë betejën kundër vjedhjes së vazhdueshme të zgjedhjeve nga Edi Rama, sekretari i përgjithshëm e ka mbaruar detyrën e tij dhe për rrjedhojë ka ardhur koha tja lëri këtë detyrë të rëndësishme dikujt tjetër që mund ta bëjë më mirë”,-shkruan Barjamaj./CNA