Avokati i ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në një deklaratë për mediat, ka bërë me dije se pasi kanë refuzuar të paguajnë faturën e SPAK prej 10 mln lekësh (të vjetra) për të marrë kopje të akteve të dosjes së klientit të tij, do të qëndrojnë në Prokurorinë e Posaçme për të lexuar të gjithë dosjen.

Ermal Yzeiraj, u shpreh se u është dhënë 24 orë kohë për të shqyrtuar 700 fashikuj të dosjes, ndërsa deri më tani, janë në fashikullin numër dy.

Avokati e ka cilësuar faturën e SPAK si qesharake, ndërsa shtoi se  kanë paraqitur një kërkesë tek gjyqtari Erjon Bani, ku sipas tyre argumentojmë paligjshmërinë e akteve ku bazohet fatura e SPAK, por ende nuk ka një zbardhje vendimi.

Avokati: 10 milion vetëm për t’u informuar se ku qëndron akuza. Ne dhe të gjithë të akuzuarit e tjerë refuzuan që të paguajnë këtë faturë. Na u dha 24 orë kohë për të shqyrtuar 700 fashikuj të dosjes. Deri tani jemi në fashikullin numër dy. Pasi lexuam vendimin për komunikimin e akuzës kërkuam kopjen e akteve sic na e njeh të drejtën ligji. 10 mln lekë vetëm për materiale në PDF. Është qesharake t’i kërkosh një pensionisti si Petro Mersini të paguajë aq para. Rapaj dhe Rjepaj janë në burg dhe atje as nuk lejohet laptopi.

Për sa i përket bazueshmërisë së dokumenteve, ne kemi paraqitur një kërkesë tek gjyqtari Erjon Bani, ku argumentojmë paligjshmërinë e akteve ku bazohet fatura e SPAK. Gjyqtari ende nuk e ka zbardhur vendimin, na ka orientuar të shkojmë në Gjykatë Administrative. Kjo është një cik rrugë e lodhshme, por jo e pamundur.

Pyetje: A është hera e parë që paguani një faturë të tillë, se ju prej kohësh mbroni persona përpara SPAK dhe GJKKO, apo ndodh me të gjithë personat që janë duke u hetuar nga ky institucion?

Avokati: Ironi është se më të njëjtët prokurorë, me të njëjtët gjyqtar, çështje tjetër nuk kam paguar asnjë lek.

Pyetje: A mendoni se për 24 orë do mund ta studioni të gjithë dosjen?

Avokati: Jo, e pamundur, do lexojmë sa të mundemi.

Pyetje: Po thoni që Beqaj do qëndroj sot gjatë gjithë kohës në SPAK deri në përfundim të orarit zyrtar?

Avokati: Sa të na lejojnë të lexojmë , do vazhdojmë të lexojmë, unë doja thjesht të pijë një kafe.

Pyetje: Po si do e kaloj zoti Beqaj këtë?

Avokati: Do e përballoj!

Ish-ministri i Shëndetësisë, është nën akuzë për Sterilizimin, bashkë me 8 persona të tjerë, mes tyre dhe ish-zv.ministri Rrjepaj dhe biznesmeni Rrapaj.

SPAK vendosi Ilir Beqajn nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, me koncensionin prej 100 milionë euro për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale në spitalet shtetërore.

Ish-ministri socialist i shëndetësisë, Ilir Beqaj, ishte prej shumë muajsh me statusin e personit nën hetim dhe paraqitej çdo të premte në SPAK.

Koncensioni afro 100 milionë euro në 10 vjet siguron instrumentat kirurgjikale të personalizuar, mjete njëpërdorimëshe kirurgjikale, trajtimin e mbetejeve biologjike dhe desinfektim të sallave kirurgjikale.

Ai u miratua nga ministria e shëndetësisë në dhjetor 2015, që shpalli fitues kompaninë SaniService, por afro 8 vjet pas kësaj, SPAK-u arrestoi në gusht 2023 sipërmarrësin e koncensionit në akuzën e mashtrimit, Ilir Rrapaj dhe ish-zëvendës ministrin Klodian Rrjepaj për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentash, ndërsa sot edhe ish ministri Beqaj u akuzua për shpërdorim detyre.

Ata dyshohen se kanë shkelur procedurat ligjore të dhënies së koncensionit, kanë toleruar shkeljet e njëri tjetrit, duke përshtatur dokumentat dhe treguesit spitalorë dhe financiarë me qëllimin e paracaktuar, që koncensionin ta fitonte shoku i vjetër i ish-zëvendës ministrit Rrjepaj.