Mediet greke kanë zbardhur detaje të reja nga përleshja e përgjakshme në Athinë mbrëmjen e djeshme.

Ka ndërruar jetë në spital një nga katër të plagosurit, duke e çuar në 3 numrin e viktimave.

Sipas informacioneve të protothema.gr, sherri ka ndodhur mes dy familjeve shqiptare të cilat ishin shpërndarës droge. Në fakt, disa prej tyre janë kriminelë me precedentë të mëparshëm penalë.

Gjithçka nisi mëngjesin e së shtunës, kur anëtarët e dy familjeve u takuan në rrugën Kourtidou, në Kato Patisia, për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre personale. Por situata u përkeqësua.

Më vonë gjatë ditës, rreth orës 21:30, në kryqëzimin e rrugëve Georgiou Nazou dhe Kourtidou , në Kato Patisia, një  Mercedes  me një drejtuese femër dhe dy pasagjerë të tjerë është afruar dhe ka qëlluar një drejtues motori të ri, duke e plagosur rëndë.

Motoçikleta ndiqej nga babai i viktimës, me një makinë tip Audi, në të cilën udhëtonin dy persona të tjerë.

Babai, sipas burimeve të ELAS-it, ka qëlluar autorin e plagosjes së të birit.

Pasagjeri i Audi-t, i cili tentoi të vraponte për t’u mbrojtur, u godit dhe u plagos nga një makinë që kalonte.

Në të njëjtën kohë, pasagjeri i  Mercedesit i  cili më parë kishte hapur zjarr u largua nga makina. Menjëherë pas kësaj ai ka ndaluar një shofer që kalonte dhe i ka marrë me armë mjetin, një Yaris i zi dhe iku drejt Agioi Anargyros.

Policia nisi kërkimet për gjetjen e shqiptarit të arratisur nga Patisia dhe e lokalizoi atë në 124 Avenue, në Agioi Anargyrou, ku dyshohet se kishte për qëllim të kryente një grabitje në një lokal.

I dyshuari ka tentuar të ikë në këmbë. Makina e patrullës e ka ndjekur. Më pas, burri ka qëlluar në drejtim të efektivëve të policisë, duke plagosur njërin në këmbë, ndërsa i dyti ka marrë një plumb lart në shpatull.

Policia iu përgjigj zjarrit, duke plagosur për vdekje autorin e armatosur.

Ndërkohë është arrestuar edhe drejtuesja femër e Mercedesit.

Dy efektivët e policisë të plagosur janë transportuar në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak 401 të Athinës.