Reputacioni i Monakos si një nga vendet më të sigurta në botë u trondit mbrëmjen e së hënës, kur një bombë shpërtheu në hyrje të një prej ndërtesave më luksoze të apartamenteve në principatë, shkruan CNN.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 21:00 me orën lokale, në momentin kur oligarku me origjinë ukrainase, Vadym Yermolaiev, 58 vjeç, po dilte nga ndërtesa. Ai mbeti i plagosur rëndë, ndërsa një grua dhe një 13-vjeçar u plagosën gjithashtu. Sipas autoriteteve, bëhet fjalë për përpjekjen e parë për vrasje me bombë të regjistruar ndonjëherë në Monako.

Princi Albert II e cilësoi sulmin si “një akt të urryer” dhe urdhëroi forcimin e masave të sigurisë dhe shtimin e patrullimeve policore në të gjithë principatën.

Policia ka nisur hetimet për “vrasje me paramendim në tentativë” dhe “vendosje të një pajisjeje shpërthyese në një zonë publike”. Ministri i Shtetit i Monakos, Christophe Mirmand, deklaroi se është hera e parë në historinë e principatës që ndodh një ngjarje e tillë. Sipas tij, kamerat e sigurisë kanë filmuar një të dyshuar që ka lëvizur disa herë në zonë para sulmit.

I dyshuari është filmuar më pas duke kaluar kufirin drejt Francës dhe vijon të jetë në arrati, ndërsa kërkimet po zhvillohen nga policia e Monakos dhe ajo franceze.

Monako njihet si një nga vendet me nivelin më të lartë të sigurisë në botë. Sipas të dhënave zyrtare, vitin e kaluar nuk u regjistrua asnjë vrasje apo tentativë vrasjeje. Principata ka 556 efektivë policie për rreth 38 mijë banorë, një raport prej një polici për çdo 70 banorë.

Përveç kësaj, siguria mbështetet edhe nga 125 karabinierë të Gardës së Princit, si dhe nga një rrjet prej 1,387 kamerash të mbikëqyrjes, të monitoruara 24 orë në ditë. Autoritetet kryejnë gjithashtu kontrolle të shpeshta identiteti dhe po investojnë në rritjen e sigurisë përgjatë kufirit me Francën.

Monako mbetet një nga destinacionet më të preferuara për milionerët dhe personazhet e njohur, falë nivelit të lartë të sigurisë dhe regjimit të favorshëm fiskal, ku nuk aplikohen taksa mbi të ardhurat, pasurinë apo fitimet kapitale./CNN