KOSOVE, 7 mars 2013 – Agjencia britanike e lajmeve Reuters transmeton deklaratën e Ivica Daçiç se serbët janë mashtruar për vite të tëra se Kosova është serbe, duke vlerësuar se kjo paraqet “sinjalin e fundit të kthesës historike të Beogradit”.

“Serbia nuk e njeh Kosovën, por ka qenë nën presion për të përmirësuar marrëdhëniet me ish krahinën e saj për të marrë dritën jeshile të BE-së për të filluar bisedimet e pranimit”, shkruan Reuters, transmeton portali Telegrafi.

Duke rikujtuar se Daçiç ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Sllobodan Millosheviqit në kohën kur Serbia ishte në luftë me NATO-n për Kosovën, dhe tani udhëheq bisedimet me liderët shqiptarë të Kosovës, agjencia britanike transmeton tekstin autorial të kryeministrit serb të botuar në javoren NIN, në të cilën ai tha se Serbia duhet më në fund përcaktojë kufijtë e saj real.

“Pothuajse për 10 vjet Kosova ka qenë një temë tabu dhe për të, zyrtarisht, askush nuk guxoi ta thotë të vërtetën”, ka shkruar Daçiqi: “Është gënjyer se Kosova është e jona”.

Agjencia kujton se Kosova, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe të cilën deri tash e kanë pranuar mbi 90 shtete, në realitetet ballafaqohet me ndarje në linja etnike në mes të shumicës shqiptare dhe “xhepit të vogël të serbëve në veri, që i mbështet Beogradi”. Reuters cek se veriu i Kosovës tashti është në qendër të bisedimeve të Daçiç me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, me ndërmjetësimin e BE-së.

“Ndonëse premton se kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, qeveria serbe ofroi ta njohë autoritetin e qeverisë së Thaçit në veri, në shkëmbim për autonomi për serbët”, shkruan agjencia britanike, e cila shton se Thaçi ka frikë që kjo do ta “çimentonte ndarjen”.

Reuters raporton se Grupi Ndërkombëtar i Krizave, në një raport të muajit të kaluar, tha se Serbia kishte “kaluar pragun”, se të dy palët nuk kanë qenë kurrë më afër zgjidhjes për veriun e Kosovës, dhe se BE-ja dëshiron që marrëveshja të arrihet nga mesi i muajit prill, kur Komisioni Evropian do të raportojë mbi përparimin në bisedimet midis Beogradit dhe Prishtinës, pas së cilës anëtarët do të marrin një vendim për fillimin eventual të negociatave për anëtarësimin e Serbisë, në qershor.