Procesi i numërimit të votave preferenciale nga brenda vendit u përmbyll dje nga ku rezulton se Partia Socialiste ka mundur të sigurojë në total 37 mandate nga lista e hapura, ndërsa Partia Demokratike vetëm 6.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja rezulton kandidati më i votuar për deputet në rang vendi nga lista e hapur. Ndërsa mbeten edhe një pjesë e votave të diasporës që i përkasin Greqisë për t’u numëruar, Gonxhja ka marrë 21 809 vota, duke kryesuar listën e kandidatëve të të gjitha partive që konkurruan në zgjedhjet e 11 majit.
I dyti në listë renditet deputeti Erjon Braçe, me 20 261 ndërsa e treta kandidatja e PD-së Jorida Tabaku me 19,025 vota. Tabaku, po ashtu është edhe kandidatja grua më e votuar në rang vendi në listën e votës preferenciale nga të gjithë gratë dhe vajzat që morën pjesë në zgjedhje.
Dy nga emrat e rinj të listave, të panjohur më parë në politikë që janë votuar më shumë janë kandidati i PS në Durrës Arkend Balla me 18,651 vota dhe kandidatja e PS në Elbasan Sara Mile me 18,626 vota. Ndërkaq 65 kandidatë nga parti të ndryshme nuk kanë marrë asnjë votë në këtë garë. Kjo ka rezultuar më së shumti për kandidatët e listave të hapura të partive të vogla në qarqe të ndryshme të vendit.
Kjo nënkupton se as vetë kandidati, familjarët apo miqtë nuk kanë votuar për ta. Për shumë prej tyre duket se kandidimi ka qenë formal dhe pa asnjë përpjekje për të tërhequr votues.
GARA E FORTË
Sot pritet të nisë numërimi i votave të diasporës së Greqisë ndërkohë që gara mes kandidatëve për vota preferenciale tashmë ka marrë formë thuajse përfundimtare dhe mandatet për të cilat ende po luftohet janë vetëm 4. Të gjitha betejat po zhvillohen mes socialistëve, 2 prej të cilave në Qarkun e Tiranës, ku numërimi i votave të kandidatëve brenda vendit sipas KQZ tashmë ka përfunduar në të 1282 kutitë.
Pasi 4 kandidatë të PS, me emra të njohur, si Gonxhe, Braçe, Hoxha dhe Xhafaj kanë siguruar tashmë mandatin, mbetet një betejë për emrin e pestë, që do të ndahet mes Ornaldo Rakipit dhe Xhemal Qefalisë, teksa i pari aktualisht ka krijuar një diferencë me rreth 130 vota. Bie në sy fakti se Blendi Gonxhja ka kaluar mbi 22 mijë vota preferenciale në Tiranë, i ndjekur nga Erion Braçe me rreth 21 mijë.
Mes socialistëve nga 7 deputetët e listës së hapur, 2 do të jenë gra, për të plotësuar kuotën gjinore. Anila Denaj me mbi 8731 vota tashmë e ka siguruar pozicionin e ligjvënëses në 4 vitet e ardhshme. Mandati tjetër do të ndahet nga një betejë e ashpër mes deputeteve aktuale Blerina Gjylameti me 5751 vota dhe Olta Xhaçka, ish-ministre, me 5732 vota dhe me diferencë vetëm 19 vota. Teksa për t’u numëruar janë edhe mbi 53 mijë vota të diasporës së Greqisë.
Në Tiranë, përveç Xhaçkës, që rrezikojnë janë edhe shumë emra të tjerë, të cilët me shumë gjasa nuk do të jenë mes deputeteve të legjislaturës 2025-2029. Mes tyre ish-ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, kryetarja e Komisionit Parlamentar të Politikës së Jashtme, Mimi Kodheli, ish – nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj apo kryetarja e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka. Nuk do të jenë të pakët dhe deputetët burra, që po ashtu në shtator nuk do të hyjnë në sallën e parlamentit të ri.
Një nga emrat më me peshë është ai i ish – kryeministrit Pandeli Majko, por po ashtu dhe Toni Gogut, Arben Pëllumbit, apo dhe Plarent Ndrecës, që hyri si zëvendësues. Sa i përket betejës mes kandidatëve në qarqet e tjerë, në Fier luftohet për një vend deputeti ku përballë janë Dhimitër Kruti, Ramion Kurti dhe Maldrita Bardho që i ndajnë vetëm disa dhjetëra vota. Ndërsa në Vlorë mund të ketë vetëm një garë potenciale nga vota e diasporës, mes Vasil Llajos dhe Klevis Kasos që e ndjek me pak më shumë se 200 vota diferencë. / Panorama