Kandidati i Partisë Demokratike në Durrës, Luan Hoti ka reaguar për herë të parë pas rezultatit të zgjedhjeve të pjesshme vendore të datës 6 mars.
Në një postim në “Facebook”, Hoti shpreht se pavarësisht fushatës entuziaste, PD-ja nuk arriti dot të bëhet shumicë.
Ndër të tjera ai shkruan se “tani është koha të reflektojmë dhe analizojmë jo vetëm pse nuk fitoi kandidati që ju propozuat po pse shumica e durrsakëve nuk na ndoqi dhe nuk doli për të votuar.”
Kujtojmë se Luan Hoti në zgjedhjet e 6 marsit për bashkinë Durrës u rëndit i treti, duke siguruar më pak vota se dy kandidatët e tjerë.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Të dashur demokratë,
Këtë muaj ne ishim bashkë, u pamë në sy, folëm për problemet 21-vjeçare të Durrësit tonë, sollëm zgjidhjet që ishin të realizueshme brenda vitit.
Në një fushatë ku në qendër të vëmendjes ishin qytetarët dhe qyteti ynë, jo partitë.
Takimet u bënë më të mëdha nga dita në ditë, ku çdo qytetar, çdo demokrat nisi të sillte edhe më shumë miq, të afërm, të njohur në takimet e rikthimit të qytetit qytetarëve.
Por ne nuk arritëm dot të bëheshim shumicë. Ky është fakt aq i patjetërsueshëm, sa ç’di unë atë që ma dëshironte zemra: që ndryshimi i madh të niste nga Durrësi.
Luftuam, sakrifikuam, punuam, dëgjuam. Tani është koha të reflektojmë dhe analizojmë jo vetëm pse nuk fitoi kandidati që ju propozuat po pse shumica e durrsakëve nuk na ndoqi dhe nuk doli për të votuar.
Unë dua të falenderoj çdonjërin prej jush që besoi në Partinë Demokratike, besoi te unë. Dua të falenderoj këdo që me mish e shpirt punoi në ekipin tonë për të ndryshuar Durrësin.
Unë nuk do rresht kurrë së punuari për të bashkuar të gjithë demokratët dhe për t’ia kthyer qytetin qytetarëve!