Rikonstruksioni i rrugëve dytësore në zonën e plazhit po pritet me reagime nga banorët, të cilët kundërshtojnë punimet për asfaltimin e rrugës para sistemimit të rrjetit të kanalizimeve.
Banorë të rrugës “Mbreti i Arbrit” në sektorin “Hekurudha” kanë paralajmëruar ditën e nesërme një protestë para bashkisë Durrës. Ata kanë kontaktuar edhe me redaksinë e “DurrësLajm”, ku kanë dërguar foto dhe video nga punimet, që po realizohen aty.
Sipas banorëve, hedhja e çakullit dhe më pas asfaltimi i këtij aksi, pa u ndërhyrë në rrjetin e kanalizimeve, do të sjellë sërish përmbytjen e kësaj zone, ashtu siç ka ndodhur edhe vitet e kaluara.
Është hera e dytë brenda një kohe të shkurtër, që banorët e zonës së plazhit protestojnë kundër rikonstruksionit të akseve rrugore, ku ata banojnë.
Më herët ishin qytetarë të rrugës “Rrota e Kuqe”, që ngritën të njejtin shqetësim dhe tentuan të ndalojnë punën e firmës, që ka marrë përsipër kryerjen e punimeve.
Një ditë më pare kryebashkiakja Emiriana Sako, përmes një postimi në rrjetet sociale, njoftoi përfundimin e rikonstruksionit të 4 rrugëve, investim i realizuar në bashkëpunim me FSHZH.
Sipas Sakos, rehabilitimi i këtyre rrugeve i shërben banorëve të zonës dhe lehtëson ndjeshëm qarkullimin e mjeteve dhe të këmbësorëve.





