“Nëse nuk e bën ky shtet të iki, se na ka qelbur tërë jetën!”

“Unë kërkoj që rruga mos të bëhet pa u bërë kanalizimet, asigjo tjetër nuk kërkoj se vuajmë ne këtu, nuk vuajnë këta!”

Kështu u shprehën sot të indinjuar banorët e rrugës “Rrota e kuqe”, në zonën e plazhit që kundërshtuan shtrimin e këtij aksi me asfalt, nëse më parë nuk hapen kanalet. Sipas tyre, kjo rrugë përmbytet sa herë regjistrohen reshje, prandaj investimet duhet të bëhen me një plan të mirëfilltë, jo thjesht për të shtruar pak asfalt.

Gjatë sezonit të shirave, rruga “Rrota e kuqe” përmbytet, por edhe banesat e qytetarëve. Banorët deklarojnë se u duhet të dalin me çizme kur ka shira, pasi niveli i ujit arrin mbi 20cm, duke ia bërë të vështirë jetesën.

Protestuesit nuk ishin kundër punimeve, por ata duan që investimi të zgjidhë problematikën e tyre, sepse paguajnë taksa, të cilat nuk u përkthehen në shërbime.

Banorët ngrenë shqetësimin se kompania e kontraktuar nuk ka vendosur asnjë tabelë informuese në të cilën të shpjegohet data e nisjes dhe përfundimit të punimeve, vlera e investimit etj.

M.B.