Nga Mila Ballhysa
Procesi i Rindërtimit është një nga sfidat e qeverisë Rama, madje ditët e fundit, kreu i ekzekutivit ka deklaruar se një nga arsyet pse shqiptarët duhet t’i japin mandatin e tretë është ai i “Shqipërisë në ndërtim e sipër”.
Bashkia e Durrësit mbetet njësia vendore me dëmet më të mëdha të shkaktuara nga lëkundja e frikshme e 26 nëntorit dhe sfidat e Rindërtimit janë ende të shumta.
Në redaksinë e “DurrësLajm” janë të përditshme ankesat e banorëve për vonesat e bonusit të qirasë, pallatet ende të pariparuara, godinat DS4 që nuk dihet kur do të nisin të riforcohen, shtëpitë individuale të papërfunduara, apo pallatet e shembura për të cilat nuk dihet kur do të ndizet drita jeshile për rindërtimin e tyre.
Bilanci i Rindërtimit në Durrës, gati 15 muaj pas tërmetit është ende jo shumë shpresëdhënës. Bashkia e Durrësit ishte më e prekura me 303.8 milion euro dëme ose 32.4% të humbjeve totale në shkallë vendi. Në fillim të shkurtit, bashkia kaloi për miratim në KB rialokimin e fondit prej 1.2 miliiardë lekë të reja të papërdorura në vitin 2020, për t’u trashëguar gjatë këtij viti. Pra rreth 12 miliardë lekë të tjera transfertë e pakushtëzuar e fondit të rindërtimit nuk u shpenzua një vit më parë, fakt që tregon se ecuria e procesit të Rindërtimit nuk ka qenë aq pozitive sa kërkon ta propagandojë kryeministri.
Si po vijon ecuria e këtij procesi në Durrës?
Banesat individuale
Nga 1036 banesa individuale që duhet të rindërtohen, kanë përfunduar vetëm 15 prej tyre. Burime zyrtare të bashkisë konfirmojnë se 500 të tjera janë ende në proces ndërtimi, ndërsa pjesa tjetër pritet të nisë në javët në vijim ose do të ndërtohen nga vetë banorët.
Në mbledhjen e fund janarit, Këshilli Bashkiak miratoi listën me 40 familjet e para që marrin në dorë grantin e rindërtimit, që varion në shumat 22, 26 dhe 34 milionë lekë të vjetra, në varësi të përbërjes familjare.
Bashkia konfirmon gjithashtu se në ditët në vijim të tjera lista familjesh që përfitojnë grantin pritet të kalojnë në Këshill Bashkiak, fakt që sipas pushtetit vendor do të përshpejtojë procedurat e ndërtimit të shtëpive të reja. Qindra banorë kaluan dimrin e dytë nëpër çadra, por kryeministri në asnjë rast nuk shkoi t’i shihte nga afër, ashtu siç bënte në javët e para pas fatkeqësisë natyrore që goditi fort Durrësin.
Pallatet DS1-DS3
Procesi i nisur në muajin tetor të vitit të kaluar vijon ende. Deri më tani janë riparuar pak më shumë se gjysma e 615 pallateve me dëmtime DS1-DS3. Fillimisht u tha se procesi do të përmbyllej brenda 80 ditëve, por gjasat janë që edhe gjatë stinës së pranverës një pjesë e konsiderueshme e pallateve të Durrësit do të jenë me skela të ngritura.
Grantet e dëmshpërblimit DS1-DS3 i kanë përfituar deri më tani më shumë se 10.000 familje, ndërsa mijëra të tjera që aplikuan në muajin dhjetor janë ende të pritje të miratimit të listave dhe më pas kalimit të parave.
Pallatet e shembura
Banorët e 30 pallateve të shembura në Durrës dhe njësitë administrative shtrojnë çdo ditë pyetjen se kur do të nisë ndërtimi i godinave. E vetmja gjë e sigurt që dinë deri më tani është se godinat do të ndërtohen në të njëjtin vend (përveç dy pallateve ku u regjistruan viktima), pasi nga kryeministri Rama, ministri Ahmetaj apo kryebashkiakja Sako nuk është artikuluar asnjë afat konkret. Të vetmit pallate ku kanë nisur punimet (i Vipave dhe pranë Drejtorisë së Policisë) nuk dihet nëse do të mund të përfundojnë brenda 6 muajve, siç u deklarua në momentin, kur mjetet e rënda u shfaqën në sheshin e ndërtimit.
Pallatet DS4
Tre ditë më parë, Rama bëri shfaqjen e radhës në Durrës dhe një nga ndalesat në qytetin bregdetar ishte njëra nga godinat DS4, tek e cila pritet të nisë procesi i riforcimit. Procesi është mjaft kompleks, siç e pohoi edhe vetë kryeministri, por tenderi tashmë është bërë për 4 godinat e para me dëmtime të rënda, ndërsa pritet të zhvillohet edhe për 5 të tjera.
Zhvillimi i tenderit mund të konsiderohet sinjal pozitiv, por kur kujtojmë se u deshën 15 muaj që punimet të nisin në 4 godinat e para nga 123 pallate DS4 që janë gjithsej, ecuria nuk duket shumë premtuese.
Lagja e re në Spitallë
Ditën e diel, kryeministri u uroi mirëmëngjes shqiptarëve, por më së shumti qytetarëve të Durrësit, me projektin 3D të lagjes së re në Spitallë, ku do të ngrihen godinat për banorët e mbetur të pastrehë nga tërmeti. Janë 1700 familje ose rreth 5 mijë banorë që pritet të sistemohen në këto godina me densitet të ulët.
“MIRËMËNGJES dhe me projektin e pallateve të Lagjes së Re në Spitallë, ku javën e ardhshme Fondi Shqiptar i Zhvillimit nis punën për infrastrukturën e lagjes, ju uroj një të dielë të qetë”,– shkruante Rama në rrjete sociale, përkrah videos.
Lagja e re do të jetë një investim i Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa ndërtimi i infrastrukturës do të realizohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Përveç videos 3D, kryeministri nuk serviri afate konkrete lidhur me kohëzgjatjen e punimeve nga FSHZH, periudhën kur pritet të nisë investimi arab, kur do të jenë gati pallatet e para etj.
Për hir të së vërtetës, ka qenë maji i vitit 2020, kur Rama prezantoi për herë të parë projektin për lagjen e re, i cili u shpjegua nga arkitekti italian Mario Cucinella. Në pamje të parë, projekti i prezantuar më 15 maj të vitit të kaluar në Power Point duket disi ndryshe nga pamja e videos 3D që ofroi Rama 4 ditë më parë, por efektet vizive mbase bëjnë punën e vet!!!
Shkollat
Nga 31 shkolla dhe kopshte të reja që do të ndërtohen nga e para janë realizuar vetëm 10 prej tyre, pra 1/3 e totalit. Disa nga shkollat kryesore të Durrësit, megjithëse Instituti i Ndërtimit i vlerësoi të dëmtuara rëndë dhe që duhen demoluar, ende vijojnë të jenë në këmbë. Duke marrë parasysh faktin se procesi i prishjes, largimit të inerteve dhe ndërtimit të godinës së re kërkon kohën e vet, është ende e paqartë nëse këto godina do të mund të jenë gati për nxënësit në nisje të vitit të ri shkollor.





