BERLIN – Dy vjet pasi kryengritjet popullore nisën të vlonin në Lindjen e Mesme, pak njerëz flasin tani për “Pranverën arabe”. Duke e pasur parasysh luftën e përgjakshme civile në Siri, ngjitjen në pushtet të forcave islamike nëpërmjet zgjedhjeve të lira, krizat edhe më të thelluara politike dhe ekonomike në Egjipt dhe Tunizi, jostabilitetin edhe më të madh në Irak, paqartësinë rreth së ardhmes në Jordani dhe Liban dhe kërcënimin nga lufta për shkak të programit bërthamor të Iranit, gjasat për një të ardhme të ndritshme në një Lindje të re të Mesme tanimë janë venitur. Nëse ia shtojmë kësaj edhe periferitë lindore dhe perëndimore të rajonit – Afganistanin dhe Afrikën Veriore (përfshirë Sahelin dhe Sudanin Jugor) – fotografia bëhet edhe më e zymtë. Në të vërtetë, Libia po bëhet gjithnjë e më e paqëndrueshme, “Al-Qaeda” angazhohet aktivisht në Saleh (siç tregojnë edhe luftimet në Mali), ndërsa askush nuk mund të parashohë se çfarë do të ndodhë në Afganistan pas tërheqjes së SHBA-së dhe aleatëve të saj në NATO, më 2014. 

Të gjithë ne priremi t’i bëjmë gabimet e njëjta përsëri: mendojmë në fillim të një revolucioni se liria dhe drejtësia kanë triumfuar mbi diktaturën dhe mizorinë. Mirëpo, historia na mëson se ajo që pason zakonisht nuk është asgjë e mirë. 

Një revolucion jo vetëm se rrëzon një regjim shtypës; por shkatërron po ashtu edhe rendin e vjetër, duke i hapur rrugën një lufte brutale, nëse jo edhe të përgjakshme, për pushtet për formimin e një regjimi të ri – një proces ky që i prek politikat e jashtme po aq sa edhe ato të brendshme. 

Normalisht, revolucionet pasohen nga kohëra të rrezikshme.  

Në të vërtetë, përjashtimet për një shteg të tillë janë të rralla: një prej tyre është Afrika e Jugut, falë një prej burrështetasve më gjenialë të shekullit, Nelson Mandela. Opsioni alternativ mund të vëzhgohet në Zimbabve. 

Evropa Qendrore dhe ajo Lindore e pas 1989-s, edhe pse është një pikë reference shumë interesante për analistët e revolucioneve arabe, nuk është pika më e përshtatshme e referencës, për shkak se rendi i ri i brendshëm dhe ai i jashtëm i rajonit rezultoi nga ndryshimi i kushteve të jashtme që pas rënies së pushtetit sovjetik. 

Nga brendësia, pothuajse të gjitha këto shtete e kishin një ide të qartë rreth asaj çfarë dëshironin: demokraci, liri, një ekonomi të tregut dhe mbrojtje nga kthimi i perandorisë ruse. Ato e deshën Perëndimin dhe pranimi i tyre në NATO dhe në Bashkimin Evropian ishte logjik. 

Asgjë e këtij lloji nuk vlen për Lindjen e Mesme në krizë. Asnjë pushtet kudo, brenda apo jashtë rajonit, nuk është i gatshëm dhe i aftë të përmbushë versionin minimal të rendit të ri rajonal – apo madje një version të një pjese të saj. Kaosi është një kërcënim konstant, me të gjitha rreziqet dhe kërcënimet shoqëruese të tij për paqen botërore. 

Përveç varfërisë, prapambetjes, shtypjes, rritjes së shpejtë të popullatës, urrejtjes fetare dhe etnike dhe popujve pa shtet (siç janë kurdët dhe palestinezët), rajoni ka edhe kufij të paqëndrueshëm. Shumica janë drejtuar nga fuqitë koloniale, Britania e Madhe dhe Franca, pas Luftës së Parë Botërore, ndërsa pjesa më e madhe e tyre, me përjashtim të Iranit dhe Egjiptit, kanë pak legjitimitet. 

E sikur e gjithë kjo të mos ishte e mjaftueshme, disa shtete – përfshirë Iranin, Arabinë Saudite dhe madje edhe Katarin e vogël (por shumë të pasur) – kanë ambicie të jenë fuqi rajonale. E gjithë kjo e përkeqëson situatën tanimë të tensionuar. 

Të gjitha këto kontradikta aktualisht po shpërthejnë në Siri, popullata e të cilit vend po vuan një katastrofë humanitare, derisa bota qëndron anash, deri më tash e pavullnetshme për të intervenuar. (Në rast se armët kimike vendosen, intervenimi do të bëhet i pashmangshëm). Edhe pse intervenimi do të ishte i kufizuar përkohësisht dhe teknikisht, të gjithë duket se po e shmangin atë, për shkak se kostoja është shumë e lartë: jo vetëm një luftë shkatërrimtare civile dhe vuajtje masive humanitare, por po ashtu edhe një rend i ri për të gjithë Lindjen e Mesme. 

Çdo intervenim ushtarak do të detyronte një konfrontim jo vetëm me ushtrinë siriane (të mbështetur nga Rusia dhe Kina), por po ashtu edhe me Iranin shiit dhe mikun e tij libanez, “Hezbollah”. Për më tepër, askush nuk mund të garantojë se intervenimi nuk do të nxisë së shpejti një tjetër luftë me Izraelin. Rreziqet si të veprimit ashtu edhe të joveprimit janë tepër të mëdha. 

Rezultati më i mundshëm në Siri është ai që katastrofa humanitare do të vazhdojë derisa regjimi i presidentit Bashar al-Assad të mos rrëzohet, pas të cilit shteti, sipas të gjitha gjasave, do të mund të ndahej në dy linja etnike dhe fetare. Dhe dezintegrimi i Sirisë mund të ballkanizonte edhe më shumë Lindjen e Mesme, duke rezultuar potencialisht me dhunë të re. 

Shtetet në vijën e frontit, si Libani, Iraku dhe Jordania, nuk do t’ia dalin të mbesin jashtë dezintegrimit të Sirisë. Çfarë do të ndodhë me kurdët dhe palestinezët e Sirisë, apo me të krishterët, druzët dhe komunitetin më të vogël mysliman të saj? Dhe çfarë ndodh me alevitët (shtyllë e regjimit të Assadit), të cilët mund të përballen me një fat të tmerrshëm, pa marrë parasysh nëse shteti do të ndahet apo jo?

Pyetjet pa përgjigje janë me bollëk. Natyrisht, edhe përballë një mizorie të tillë, ne nuk do të duhej të humbnim shpesën në marrëveshjet e arritura diplomatike; mirëpo, në realitet, shanset po zbehen nga dita në ditë. 

E gjithë Lindja e Mesme është lëvizje, ndërsa një rendi i ri dhe stabil do të kërkojë shumë kohë për t’u krijuar. Deri atëherë, rajoni do të mbetet tejet i rrezikshëm, jo vetëm në aspektin e brendshëm, por po ashtu edhe për fqinjët (përfshirë Evropën) dhe botën. 

(Joschka Fischer ishte ministër i Jashtëm i Gjermanisë dhe nënkancelar nga vitet 1998-2005, një mandat ky që u shënua nga mbështetja e fuqishme e Gjermanisë për intervenimin e NATO-s në Kosovë më 1999 dhe kundërshtimi i mëvonshëm për luftën në Irak. Fischer i hyri skenës politike, pasi mori pjesë në protestat anti-establishment të viteve 60 dhe 70 dhe ka luajtur një rol kyç në themelimin e Partisë së Gjelbër gjermane, të cilën e udhëhoqi për pothuajse dy dekada. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”)