Një tjetër risi i shtohet organizimeve të futbollit në Durrës, ndoshta edhe pak më gjerë. Për 7 ditë, 62 ekipe futbolli, me pjesëmarrjen e 384 futbollistëve, zhvilluan 63 ndeshje. Java e filluar me 15  dhe që mbaroi me 21 mars 2012, do të kujtohet si fillimi i një aktiviteti masiv futbolli duke vendosur nga traditat më të gjetura të këtij sporti. Organizatore e këtij kampionati lokal, që rroku konkurrencën në grup moshat nga 9 deri në 15 vjeç është Qendra Kulturore e Fëmijëve. Partnerë të saj u bënë shkollat pjesëmarrëse, si dhe specialistë futbolli, kolegjiumi i gjyqtarëve të Durrësit etj.

Organizatorët

Si çdo risi edhe kjo e tanishmja në fushën e topkëmbës, meriton të përshëndetet. Shtrija masive e futbollit, duke u angazhuar 63 ekipe përfaqësuese të zonës së Durrësit, ngritja dhe funksionimi i akademisë pranë klubit të futbollit Teuta, sigurisht kërkonte një shtrirje të një lloji tjetër. Mund të plotësohej edhe ai boshllëk që mund të ndjehesh në ciklin e arsimit 9-të vjeçar. Përgjegjësi i sektorit të sportit, Arjan Plaku, thotë se u shkua shkollë më shkollë, për të ndarë së bashku me nxwnwsit kënaqësinë dhe vështirësinë e një ndërmarrje të tillë.

“Morëm nxitje nga organizimi i kampionatit të parë të shahut, po në këtë kategori përfaqësimi. Ajo që na nxiti edhe më shumë për të realizuar suksesin e ndjeshëm, ishte mbështetja e menjëhershme e drejtorive të shkollave. Bëmë kalendarin dhe së bashku me përfaqësues të shkollave e miratuam atë”. Kështu nis rrëfimin e tij Arjan Plaku, në fytyrën e të cilit me 21 mars, vumë re lodhjen përzier me kënaqësinë dhe gëzimin e një suksesi të merituar.

Për të patur asistencën teknike të nevojshme, u thith mendimi dhe përkrahja e specialistëve të futbollit, vëllezërve Mirjan dhe Julian Fezga. U shkua dhe u lidhën kontakte bashkëpunimi me kolegjiumin e gjyqtarëve të futbollit në Durrës të kryesuar nga Servet Bogdani. Dhe pesha e gjykimeve u përballua nga dyshja e palodhur Xhenald Rada dhe Klodian Shahini. Vendi i zhvillimit të aktivitetit, u bë kalçeto e njohur në hyrje të Durrësit.

Kategoria e parë

Ky përfaqësim përfshiu 12 ekipe me nxënës të klasës së 4-të dhe të 5-të. U vendos që ekipet e futbollit të këtij cikli, të ishin me 7 futbollistë. U zhvilluan 9 ndeshje për të përcaktuar ekipet gjysmëfinaliste. Në këtë fazë eliminatore veçon fitorja e thellë 10-0 e ekipit të shkollës Viçens Prendushi, ndaj homologes së saj Mihal Ekonomi dhe 6-0 e Shaqe Mazrekut me Iliria-n. Në turin gjysmëfinal shkolla V. Prendushi arriti të fitojë ndaj Sh. Mazrekut me rezultatin 2-1.

Ndërsa Turgut Ozal u tregua më i kujdesshëm në manaxhimin e të vetmit gol të fitores, që i dha epërsinë ndaj Pavarësisë. Finalja ishte akoma edhe më e bukur dhe me vlera sportive. Nën vështrimin e dhjetëra e dhjetërave fëmijëve, të cilët bënin “tifo” për ekipet e tyre, me kohëzgjatje 2×15 minuta ekipi i shkollës V. Prendushi u tregua më i përgatitur dhe e mundi 3-0 Turgun Ozal. U kaluan çaste të bukura dhe të paharrueshme. Ekipit fitues iu ndaj kupa dhe diploma e kampionit.

Organizatorët përcaktuan edhe stimuj për futbollistët më të mirë sipas reparteve. Portieri më i saktë u vlerësua Daniel Qose i V. Prendushit, mbrojtësi më i mirë Erion Kurti i Sh. Mazrekut dhe sulmuesi më teknik Joan Metaliu i T. Ozal. Futbollisti më i talentuar u votua Mateo Syziu i D. Bebeziqit.

Kategoria e dytë

Ekipet e formuara nga bashkimi i klasave të 6-ta dhe të 7-ta, zhvilluan ndërmjet tyre në turin e parë 22 ndeshje. Ekipi i shkollës Marie Kaçulini, shkoi në turin gjysmëfinal duke mundur “N. Terezen” 2-1, “14 Nëntorin” 2-0, “V. Ziun” 3-1. Rival iu bë kësaj fitueseje në turin e dytë, ekipi i shkollës “I. Ferra” që mundi 4-2 “M. Hasën”, “Sh. E RE” 4-3 dhe “Demokracia” 2-1. Ndërsa gjysmëfinalistët e tjerë ishin Sh.E RE dhe “Njazi Mastori”. Ekipet përbëheshin nga 6 futbollistë.

Takimi ndërmjet ekipeve të shkollës M. Kaçulini dhe I.Ferra, ishte nga më të bukurat dhe u shoqërua nga një rivalitet i skajshëm. Me rezultatin 5-4 fitorja mbeti në anën e “I. Ferrës”. Ndërsa ekipi që përfaqësonte shkollën “Nj. Mastora” në Sukth, kaloi një breshëri golash në portën e moshatarëve të tyre të Shkollës së re. Fitorja 5-0 kishte brenda krahas epërsisë edhe përgatitjen e mirë fizike dhe teknike të sukthjanëve të vegjël.

Vendi i parë së bashku me titullin kampion do të vendosej ndërmjet dyluftimit të ekipeve që përfaqësonin shkollën “I. Ferra” dhe “Nj. Mastora”. Ajo që veçon është se të dy ekipet janë të periferisë së Durrësit, duke treguar masivitetin që përfshin këto zona. Në sajë të një lojë më kompakte dhe të organizuar, ekipi i shkollës I. Ferra fiton 3-1 dhe bashkë me të edhe kupën e vendit të parë. Organizatorët përcaktuan edhe lojtarët më pikantë sipas roleve që luajtën. Shaqir Gjuzi i “N. Tereza”, Merli Çuni i Shk. E RE, Mariglen Agalliu i “H. Koçit” u vlerësuan respektivisht si portjeri, mbrojtësi dhe sulmuesi më i mirë. Nga shkolla “Nj. Mastori” doli golashënuesi më i mirë i kësaj kategoria Kristi Jahori. Lojtari i perspektivës vlerësohet Edison Sokoli i Sh. E RE.

Kategoria e tretë

14-15 vjeçarët e këtij grupimi rivalësh, arritën t’i mbërthenin në ankth fansat e shumtë të tyre nw 26 ndeshjet e zhvilluara. Duke vrojtuar me kujdes përfundimet e këtyre ndeshjeve, vë re një fakt shumë interesat dhe që mat vlerat sulmuese të ekipeve.  Në këto ballafaqime u shënuan 118 gola, me mesatare 4.5 gola për ndeshje. Ekipi i shkollës M. Kaçulini, që fitoi kampionatin e kësaj kategorie përfaqësimi shënoi 24 gola në 5 ndeshje.

Me përjashtim të ekipit të shkollës “V. Ziu” që e mundi ngushtë 4-3, rivalët e tjerë si “Z. Sallaku”, “H. Dushi”, SH. E RE (në gjysmëfinale), “Q. Mici” (në finale), u rrëmbeu fitoren respektivisht me 5-1, 7-0, 5-0 dhe 3-0. Por Shkolla 14 Nëntori nxorri portjerin më të mirë. Ai quhet Amel Bardhi. Edhe shkolla “V. Ziu” mburret me Mariglen Seferin si mbrojtësin më të pakalueshëm. Olsi Xheka i “M. Kaçulinit” , tregoi se ardhmja e tij si sulmues është e hapur. Por golashënuesi më i mirë doli nga shkolla “H. Koçi”. Rei Ibrahimi e meriton këtë me aftësitë e tij. Ndërsa për Arian Met’hasa i shkollës “N. Babameto” të Spitallës shkuan vlerësimet për futbollistin më të perspektivës.

Përfundimi

Kur bëhet një punë e mirë, e menduar deri në detaje është e ligjshme kënaqësia. Kështu u ndjenë me 21 mars që të gjitha palët që i dhanë jetë një organizimi të ri, siç është kampionati i parë i futbollit ndërmjet shkollave të ciklit 9-të vjeçar. “Mbi bazën e arritjeve të këtij viti, thotë Arjan Plaku, vitin e ardhshëm kampionati i futbollit është menduar të bëhet mbarëkombëtar.

Drejtuesit e shkollës Turgut Ozal, kanë marrë përsipër edhe shpenzimet, me të vetmin qëllim: të edukohen dhe kaliten nxënësit nëpërmjet sportit, për ta bërë atë pjesë sa më aktive të jetës së tyre”. Nw ceremoninë e ndarjes së trofeve, të gjithë u veshën me kostumin e gëzimit të pamasë për këtë risi. Jetës sportive të shkollave të ciklit 9-të vjeçar, tashmë iu shtua edhe kampionati i futbollit. S’ka ku të shkojë më mirë!