Teuta u rendit në vendin e gjashtë në Superiore. Mungesa në Europë natyrisht përkthehet në një edicion zhgënjyes për blutë, të cilët humbasin mundësinë të jenë në arenën ndërkombëtare. Ekipi tani do të nisë përgatitjet për edicionin e ri, duke lënë pas sezonin me shumë luhatje.

Ish-lojtari dhe kapiteni i Teutës, Bledian Rizvani, që aktualisht mban pozitën e trajnerit të portierëve, ka folur për sezonin që u mbyll dhe për ecurinë e portierëve tek Teuta, Bledian Rizvani, tregon gjithçka nga besimi i Qirkos e deri tek e ardhmja që është Dema.

Ai beson që Qirko punon fort dhe meriton të jetë pjesë e Kombëtares shqiptare. Rizvani shprehet se sezoni që u mbyll ishte për notën 8, pasi, sipas tij, një penallti e mohuar ndaj Vllaznisë, u hoqi mundësin bluve të merrnin pjesë në Europë.

Teuta e mbylli kampionatin na vendin e gjashtë, si e patë këtë sezon?

Vendi i 6-të, besoj se bëmë shumë mirë në dy fazat e fundit që morëm maksimumin e pikëve. Ka meritë të padiskutueshme profesor Martini, edhe lojtarët që u afruan. Kallaku, i cili bëri diferencën duke na ndihmuar shumë.

Qirko vendosi një rekord ku në 16 ndeshje nuk pësoi gol, duke qenë ndër portierët më të mirë të kampionatit. Si ndiheni ju si trajner i tij?

Qirko bëri mirë këtë kampionat dhe më bëhet shumë qejfi për këtë, sepse zoti i shpërbleu me sukses një punë të jashtëzakonshme plot mund edhe lodhje. Kemi punuar një muaj përpara se të mblidhej ekipi, stërvitje pa fund.

A mendoni se ka ardhur momenti për Qirkon të jetë pjesë e Kombëtares?

Qirko në Kombëtare besoj se po, për t’i dhënë një shtysë për tëardhmen, ai djalë e meriton, sepse punon dita-ditës për t’u përmirësuar.

Veç Qirkos është dhe Dema që mori disa minuta ndaj Partizanit, si e shihni?

Ndihem me fat që kam dy portierë si Qirko dhe Dema. Besoj se edhe Dema ka një të ardhme të ndritur. Ka 1-2 gjëra për të rregulluar dhe besoj që do ta mbajë portën e Teutës për shumë vite.

Çfarë note do t’i vendosni Teutës në sezonin që sapo u mbyll?

Nota për Teutën është 8. Nisëm një sezon shumë të dobët, por bëmë një mbyllje të jashtëzakonshme, ku asnjëri nuk besonte që ne mund të arrinim edhe Kupat e Europës. Ajo penallti që nuk na u dha ndaj Vllaznisë, e cila ishte shumë flagrante, na hoqi atë mundësi për të kapur atë objektiv.

Ju jeni trajner portierësh, sa ka evoluar kjo detyrë vitet e fundit dhe cilat janë risitë në punën që ju bëni?

Rroli i trajnerëve të portierëve ka evoluar shumë, si me programet e stërvitjes, por edhe roli i trajnerit të portierëve në staf. Risitë janë që çdo ditë bëjmë video-analizë të stërvitjes dhe mundohemi të përmirësojmë çdo detaj, si vendosja në portë, daljet dhe leximin e situatave. Mendoj se me punë arrihen gjëra shumë të mëdha.

Cilët janë objektivat personale të Rizvanit?

Dëshira ime personale, objektivi im në karrierë, është të arrij tek ekipi A i Kombëtares. Besoj me punë shumë dhe dëshirën e Zotit do ta arrij.