Mitt Romney tha në një fjalim për politikën e jashtme se presidenti Obama ka dështuar në përpjekjet për të përballuar sfidat globale dhe se Uashingtoni nuk ka luajtur rolin e duhur udhëheqës, duke dobësuar kështu Shtetet e Bashkuara dhe duke u dhënë kurajo armiqve të Amerikës. Sipas tij politika e jashtme e presidentit Obama është e bazuar në shpresë dhe jo në udhëheqje vendimtare.

“Shpresa nuk është strategji. Ne nuk mund të mbështesim miqtë tanë dhe të mposhtim armiqtë tanë në Lindjen e Mesme kur fjalët tona nuk mbështeten me vepra”,- tha Romney. Ai e vuri theksin tek gjakderdhja në Siri dhe në sulmin vdekjeprurës kundër konsullatës amerikane në Bengazi. Kandidati republikan premtoi një politikë më të ashpër ndaj Iranit nëse zgjidhet president.

“Nuk do të hezitoj të vendos sanksione të reja kundër Iranit, madje do të forcoj sanksionet që janë tashmë në fuqi. Ne duhet t’ia bëjmë të qartë Iranit nëpërmjet veprimeve tona dhe jo vetëm fjalëve, se përpjekjet e tyre për të zotëruar armë bërthamore nuk do të tolerohen”,- tha Romney para mbështetësve.

Ai premtoi gjithashtu të ruajë fuqinë ushtarake të Amerikës dhe të mbrojë forcat e armatosura nga shkurtimet e mëdha të shpenzimeve, të planifikuara për të filluar vitin e ardhshëm. Ndërkohë nga ana tjetër një reklamë politike e fushatës së presidentit Obama në television nënvlerëson ndërhyrjet e Mitt Romneyt në çështjet globale.