Pas debatit të parë të së mërkurës dhe opinioneve të analistëve se Mitt Romney u tregua më i vendosur sesa Obama në këtë përballje duket se gjërat kanë lëvizur përsa i përket mbështetjes që dy rivalët për Shtëpinë e Bardhë gëzojnë në elektorat. Po ndërsa Romney ka fituar disa pikë, mbështetja për Obamën nuk ka ndryshuar.

Kështu sipas një sondazhi të Reuters Obama pëlqehet nga 56% e të intervistuarve, ndërsa kandidati republikan nga 51% e tyre. Në debatin e së mërkurës presidenti aktual dhe rivali republikan u përballën për herë të parë duke e përqendruar tematikën e debatit tek çështjet ekonomike dhe ato të shëndetësisë. Romney kundërshtoi ashpër gjatë përgjigjeve të tij politikat ekonomike të ndjekura nga Obama për rimëkëmbjen e vendit, ndërkohë që ky i fundit u detyrua të qëndrojë përgjithësisht në pozicion mbrojtës.

Mesa duket Romney e shfrytëzoi më së miri këtë debat për të rritur mbështetjen popullore në favor të tij, pas një rënie të konsiderueshme në javët e fundit. Shumë analistë patën paralajmëruar se ky debat do të ishte mundësia e fundit për kandidatin republikan për të shtuar pikët në sondazhet parazgjedhore. Ndërkohë një ditë pas debatit televiziv, gjatë një takimi në Denver të Kolorados, Obama i kërkoi rivalit të tij të tregonte “të vërtetën” mbi politikat që ai ndjek.

Organizatorët e fushatës së tij deklaruan se do të bëjnë disa ndryshime përsa i përket strategjisë që do të ndiqet deri në zgjedhjet e 6 nëntorit. Por ndërsa debati nuk i dha Obamës pritshmërinë e kërkuar krejt tjetër duket situata në mbledhjen e fondeve. Mediat amerikane kanë bërë të ditur se presidenti amerikan është pranë arritjes së kufirit prej 1 miliard dollarësh të mbledhur nga donatorët.

Kjo është hera e parë që një president amerikan do arrinte të mblidhte këtë shifër rekord. Nga ana e tij, edhe pse e nisi fushatën e grumbullimit të fondeve me më shumë vrull se Obama, kandidati republikan nuk parashikohet të sigurojë më shumë se 900 milion dollarë.

Në fakt, shuma prej 1 miliard dollarësh është e tepruar dhe tejkalon objektivin prej 750 milion të vendosur nga stafi Obama. Ky objektiv u realizua që më 31 gusht. Sipas analistëve, ajo që ka ndikuar në rritjen e fondeve për Obama-n është fushata mbështetëse e aktorëve dhe figurave të tjera të rëndësishme të artit në SHBA.