Mejreme Peçi tregon sjelljen e autorit pak orë pasi theri 86-vjeçarin. Vjehrra e Arjan Allës: S’e dija për vrasjen, tha se e ndiqnin.
“Pas vrasjes në xhami, dhëndri erdhi në shtëpi dhe volli. Më kërkoi rroba të ndërrohej dhe të nesërmen herët në mëngjes doli nga shtëpia pa treguar se çfarë kishte ndodhur”.
Kështu u shpreh dje Mejreme Peçi, vjehrra e Arjan (Artan) Allës, i arrestuar për therjen në xhami të 86- vjeçarit Shemsi Muça. Për herë të parë një i afërm i Allës tregon për momentet e autorit pas krimit makabër, motivet e të cilit janë ende mister.
Znj. Merjeme, ju jeni vjehrra e Arjan Allës, personit të dyshuar për vrasjen në xhami të një të moshuari. Pas krimit ai është strehuar tek ju…
Po. Unë e strehova. Ai erdhi në shtëpi në darkë. Nuk di sa ishte ora, por ishte errur. Trokiti në derë dhe unë pyeta kush ishte, se jetoj vetëm e kam frikë. Më tha hape se jam Artani (Arjan Allën e thërrasin edhe Artan). E hapa e habitur dhe e pyeta se kur kishte ardhur nga Greqia, pasi unë nuk e dija që ai ishte këtej. Më tha që kishte ardhur po atë ditë, por rreth orës 03:00 të mëngjesit.
Pra, ai ka ardhur te ju pas krimit. Si sillej, arritët të kuptonit se kishte ndodhur diçka?
Pasi e pyeta si ishte ime bijë dhe fëmijët, shkova t’i bëj diçka për të ngrënë. Ai shkoi në tualet. Prita që të dilte që aty, por u vonua shumë dhe unë pasi i fola te dera dhe nuk m’u përgjigj, hyra brenda në tualet dhe e pashë që po villte. E pyeta mos i dhembte gjë, por nuk më tha asgjë. Më kërkoi rroba që të ndërrohej.
Pse donte të ndërrohej? Kishte shenja gjaku në rrobat e tij?
Jo nuk kishte asnjë shenjë gjaku. Më kërkoi rroba për gjumë. I dhashë një kostum të kuq grash, pasi unë s’kam burra në shtëpi. Erdhi dhe iku në mëngjes dhe mua s’më tregoi asgjë se çfarë kishte ndodhur.
Ju nuk dëgjuat se në xhami ishte vrarë një besimtar? Nuk reagoi fare ai?
Unë dëgjova që vdiq Shemsiu në xhami dhe thashë me vete “sa mirë që paska vdekur në xhami. Paska qenë i lumturi i botës”, pasi thonë se është mirë të vdesësh brenda në xhami.
/Panorama/





