Vatikani ka bërë të ditur se Papa Françesku po tregon shenja përmirësimi pas më shumë se tre javësh trajtim për pneumoni dhe bronkit.
“Gjendja klinike e Atit të Shenjtë ka mbetur stabile dhe tregon një përgjigje të mirë ndaj trajtimit”, thuhet në njoftimin zyrtar, duke theksuar një përmirësim gradual të lehtë.
88-vjeçari është duke u trajtuar në spitalin Gemelli në Romë, ku u shtrua më 14 shkurt pas problemeve me frymëmarrjen. Fillimisht i trajtuar për bronkit, më pas u diagnostikua me pneumoni në të dy mushkëritë.
Papa nuk është shfaqur në publik që nga momenti i shtrimit, duke shënuar largimin më të gjatë nga sytë e publikut në 12 vitet e tij në krye të Kishës Katolike. Mjekët parashikojnë një periudhë të gjatë rikuperimi për shkak të moshës dhe historisë së tij mjekësore.