U kërkoi bashkëmoshatarëve në konvikt të ulnin pak zërin, pasi ishte vonë dhe donte të flinte gjumë, por rrihet me mjete të forta prej tyre. Një 15-vjeçar nga Mamurrasi, nxënës i shkollës profesionale “Beqir Çela” në Shkozet, ka pësuar dëmtime të rënda në kokë pas konfliktit me bashkëmoshatarët.

Sherri banal ka ndodhur brenda ambienteve të konviktit të shkollës, në një kohë kur nuk kishte asnjë roje apo kujdestar aty rrotull. Policia bëri të ditur se Ferdinant Balla, nxënës i vitit të parë, ka mbetur i plagosur rëndë me mjete të forta dhe është duke luftuar me jetën në spitalin e Tiranës.

Burime nga grupi hetimor që po punojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje thanë për gazetën se 15-vjeçari është konfliktuar thjesht për një fjalë goje me bashkëmoshatarët e tij, ndërsa për plagosjen e Ballës policia ka ndaluar bashkëmoshatarin e tij shtetasin F.T., 15 vjeç, banues në Mamurras, nxënës po i vitit të parë.

Nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes mësohet se ngjarja ka nisur fare papritur, ndërsa ka shokuar të gjithë konviktorët që ndodheshin brenda në godinën e mbipopulluar të konviktit. Sipas policisë, mbi 15-vjeçarin kanë qëlluar disa persona, ndërkohë fajin për plagosjen e tij e ka marrë përsipër një bashkëmoshatar i tij njëkokësisht edhe patriot, pasi që të dy fëmijët janë nga Mamurrasi. Rasti në fjalë u mbajt i fshehur për rreth dy ditë nga drejtuesit e konviktit, kjo edhe për faktin se viktima nuk ka dëshiruar të bënte kallzim në polici.

Por situata u ndërlikua kur gjendja shëndetësore e 15-vjeçarit filloi të rëndohej nga ora në orë. Drejtuesit e shkollës dhe të konviktit ku u rregjistrua rasti në fjalë kanë pohuar se ngjarje të tilla janë të shpeshta në këtë shkollë, por theksuan se nuk janë të këtyre përmasave.