Policia e Tiranës ka vënë në pranga administratorin, menaxherin dhe një punonjës të pikës së karburantit ku një ditë më parë u dëmtua një tub dhe që shkaktoi rrjedhje gazi. Sipas policisë, këta persona kanë shkelur rregullat mbi lëndët plasëse dhe djegëse.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasit Artan Çaçi, 58 vjeç, (administrator në një subjekt), Xhodian Rada, 38 vjeç, (menaxher i subjektit), dhe Mynyr Halili, 54 vjeç, (shofer), të tre banues në Tiranë”, njoftoi policia.

Më tej uniformat blu sqaruan se: Shtetasi Xh. R., menaxhon një subjekt në rrugën “Sadik Petrela”, të palicensuar për tregtimin e hidrokarureve. Ditën e djeshme, shtetasi M. H., duke parkuar automjetin autocisternë në këtë subjekt, ka dëmtuar një tub dhe si pasojë është shkaktuar rrjedhje gazi. Shtetasi A. Ç., administrator i këtij subjekti, ka përdorur pajisje të cilat nuk plotësojnë kushtet thelbësore të sigurisë.

Kujtojmë se një ditë më parë policia evakuoi banorët e zonës dhe bllokoi përkohësisht një segment të rrugës “Sadik Petrela” për shkaqe sigurie.