Koment nga “Radio Evropa e Lirë”
Në fund të muajit janar, “Twitter”-i ka mbyllur llogarinë e një grupi terrorist të lidhur me “Al Qaedan”, me seli në Somali, Al-Shabaab. Llogaria u shua pasi që grupi postoi një video në “Twitter”, me të cilën kërcënonte të vriste dy pengje keniane, po që se qeveria nuk i përmbushte kërkesat e grupit.
“Twitter”-i nuk ka komentuar në lidhje me fshirjen e llogarisë, por disa ekspertë të medieve sociale arsyetojnë se “Al-Shabaab” ka shkelur kushtet e shërbimit të “Twitter”-it, të cilat ndalojnë kërcënimet e drejtpërdrejta për dhunë. Kjo çështje tashmë është bërë shumë e njohur. Ndonjë llogari e ndonjë organizate terroriste në “Facebook” ose “Twitter” vihet në qendër të vëmendjes, aktivistët dhe mediet flasin për të, shuhet nga rrjeti social- dhe më vonë, shfaqet llogaria e re.
Derisa grupet terroriste kërkojnë të arrijnë një audiencë më të gjerë globale, migrimi i tyre në rrjetet sociale, është dëshmuar si një sfidë për rrjetet si “Twitter” dhe “Facebook”.
Derisa qeveritë kërkojnë që rrjetet sociale t’i mbyllin llogaritë e këtyre grupeve terroriste, aktivistët e internetit, kërkojnë transparencë më të madhe të rregullave të kompanive të mediave sociale.
Aaron Zelin, nga Instituti për Politikat e Lindjes së Afërt në Uashington që së fundi ka publikuar një raport mbi përdorimin e medieve sociale nga grupet xhihadiste, tregon se çka ndodh kur të shuhen llogaritë.
“Shumica e këtyre grupeve pas kësaj krijojnë një llogari të re dhe krijojnë një situatë të tillë, ku llogaria e re rri një kohë e aktivizuar, pastaj mbyllet, dhe është një si lojë e maces me miun”, shprehet Zelin.
Kjo është saktësisht ajo që ka ndodhur në muajin dhjetor në Pakistan, kur “Facebook”-u pezulloi llogarinë e një dege mediale të talebanëve, Umar Media. Faqja u mbyll, pasi që kishte thyer rregullat e “Facebook”-ut duke promovuar terrorizmin. Dy javë më vonë, një llogari e re Umar Media u krijua në “Facebook”, edhe pse nuk është e qartë nëse i takon të njëjtit grup.
Kompanitë private “Twitter” dhe “Facebook” lejojnë llogarinë e kujtdo, që pëlqen platformat e tyre. Por, për shkak të numrit të madh të përdoruesve globalë, ato po pëlqehen edhe nga terroristët e internetit në hapësirën publike- një shesh global qyteti në epokën digjitale.
“Twitter”-i konsiderohet në masë të gjerë si lider në mesin e rrjeteve sociale për shkak të përkushtimit për lirinë e shprehjes, por disa aktivistë janë të shqetësuar lidhur me mungesën e politikave të qarta të platformës sa i përket ekstremistëve ose organizatave terroriste.
“Twitter”-i në të vërtetë nuk ka ndonjë politikë në lidhje me organizatat terroriste në platformën e vet. Nëse dikush nxit dikë ose një grup njerëzish për dhunë, ky është një kërcënim i menjëhershëm, atëherë ata e mbyllin, siç bënë me Al-Shabaab-in”, thotë Zelin.
Përfaqësuesit e “Facebook”-ut dhe të “Twitter”-it nuk i janë përgjigjur kërkesës së RFE/RL (inicialet anglisht të: “Radio Evropa e Lirë / Radio Liria”) për intervista.
Rebecca MacKinnon, një eksperte mbi censurën në Internet dhe anëtare e Fondacionit New America, shpjegon se përveç kushteve të shërbimeve e rregullave që i administron përdoruesi dhe të sjelljes në platformë, rrjetet sociale janë subjekt i ligjit dhe qeverive në ndryshme, varësisht se ku operojnë.
Sa u përket kërkesave të qeverisë, për shembull, “Twitter”-i, operon sipas shteteve.
“Shpresojmë se ajo që po e bëjnë ata është përgjigje ndaj kërkesave të obligueshme me ligj. Pra, nëse qeveria ka një urdhër që ligjërisht është i detyrueshëm dhe e bën të qartë se përmbajtja në fjalë është në kundërshtim me ligjin, atëherë shërbimi është i detyruar që ta mbyllë apo bllokojë atë”, tha MacKinnon.
Për shembull, në tetor të 2012, “Twitter”-i ka bllokuar një llogari neonaziste pas një kërkese të qeverisë gjermane, e cila argumentonte se llogaria shkelte ligjet kundër gjuhës së urrejtjes.
Në dy raportet mbi transparencën, “Twitter”-i ka thënë se ka qenë një rritje e qëndrueshme e kërkesave të qeverisë për heqjen e përmbajtjeve dhe vërejtjeve për të drejtat e autorit.
Në shumicën e rasteve, “Twitter-i” thotë se nuk i ka përmbushur kërkesat e qeverisë për të hequr përmbajtjen. Sipas MacKinnon, “Facebook”-u është më pak transparent në lidhje me mënyrat se si i është përgjigjur kërkesave të qeverisë ose se çfarë lloj kërkesash ka pasur nga qeveria”.
Shkrimi i mesazheve anglisht në “Twitter” paraqet rrugë të sigurt të tërheqjes së vëmendjes së sistemeve filtruese të rrjeteve sociale. Aktivistët e internetit kanë vërejtur se “Facebook”-u dhe “Twitter”-i reagojnë shpejt kur organizata a individi shkruan anglisht.
Por, kjo mbase nuk paraqet rastin kur të tillët postojnë në gjuhë të tjera.
Sarah Kendzior, shkrimtare dhe antropologe, argumenton se “Facebook”-u mund të mos jetë i vetëdijshëm për praninë e disa grupeve terroriste për shkak se nuk e di se çka shkruajnë ata.
“E di se Unioni Xhihadist Islamik, për shembull, ka një faqe në ‘Facebook’, dhe jo shumë njerëz i pëlqejnë, ose vërejnë se çka publikojnë ata kryesisht në gjuhën uzbeke”, thotë Kendzior.
Zelin gjithashtu thekson se Al-Shabaab në llogaritë arabe dhe somaleze nuk është shuar kurrë, edhe pse aty poston pak a shumë të njëjtat materiale si ato në anglisht.
Derisa organizatat terroriste vazhdojnë të përqafojnë mediet sociale, aktivistët për lirinë e shprehjes duket se do të bëhen më agresivë në thirrjet e tyre për më shumë politika transparente drejt gupeve ekstremiste terroriste.
Derisa qeveria ka dëshirë të shuajnë ato, platformat e medieve sociale, do ta kenë shumë vështirë të marrin vendim se ku të vendosin kufirin.