Durrësi ka qenë nga zgjedhjet në zgjedhje barometër i forcës politike që do të drejtonte katër vitet e ardhshme vendin.

Durrësi ka rezultuar qark që ka ofruar surpriza më 2013-n, ndërsa më 2017-n beteja pritet të jetë më e ashpër për shkak se ky qark do të ketë edhe një deputet më shumë nga më parë.

Në vitin 2013, Durrësi i hoqi një mandat Partisë Demokratike në krahasim me vitin 2009, ndërsa i dha një mandat shtesë Partisë Socialiste. Por ndryshimet demografike kanë bërë që Durrësi në zgjedhjet e vitit 2017 të ketë 14 deputetë dhe jo 13 siç kishte më 2009-n dhe 2013-n. Kjo ka bërë që beteja për Durrësin të jetë edhe më e ashpër këtë vit, ku mandatet për të cilat luftohet janë të shumta, gjë që mund të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve kombëtare.

Zgjedhjet e vitit 2009 në Qarkun Durrës i dhanë shtatë deputetë Partisë Demokratike, 5 Partisë Socialiste dhe një deputet LSI-së. Partia Socialiste arriti të fitojë në vitin 2013 mbi 10 mijë vota më shumë se sa në zgjedhjet paraardhëse, duke rrëmbyer mandatin e gjashtë për këtë qark. PD dhe aleati i saj PR arritën të marrin gjashtë deputetë, ndërsa LSI mbeti me 1. Nëse shihet rezultati në vota, përmbysja e vitit 2013 duket qartë. E majta arriti të marrë 79 mijë vota në Durrës ose 51 % më 2013-n, ndërsa e djathta mori gati 70 mijë vota, ose 45 %. Më 2009-n, koalicioni i PS-së plus koalicioni i LSI-së (të cilët garuan veçmas) morën 47.3% ndërsa e djathta mori 51.7%. Në Durrës më 2013-n u hodhën gati 18 mijë vota më shumë se sa më 2009-n, ku votat shtesë duket se i mori e majta.

Për zgjedhjet e vitit 2017, Partia Socialiste ka pozicionuar kandidatin Jurgis Çyrbja nga zona e Shijakut të gjashtin në listën e saj dhe Rrahman Rajën nga Kruja në vend të shtatë. Këto janë dy kandidatët që do të hyjnë në parlament në rast se Partia Socialiste arrin të ruajë rezultatin e vitit 2013 apo ta përmirësojë atë për të fituar shtatë mandate.

Përballë tyre, Partia Demokratike ka vendosur në vend të pestë Agron Dukën, ish-ministër i Bujqësisë për Partinë Socialiste dhe biznesmen me bazë elektorale në Shijak, i cili fitoi mandatin më 2013-n duke garuar për Partinë Republikane ndërsa më 2017-n garon si kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste. Në rast se PD arrin të ruajë rezultatin e vitit 2013, atëherë votat e Dukës dhe mandati i Dukës do të jetë vendimtar për të mbajtur këtë rezultat.

Gjithsesi rruga e Partisë Demokratike për mandatin e pestë në Durrës është e vështirë. Në zgjedhjet e vitit 2015, PD humbi në të tria bashkitë e këtij qarku, në Krujë, Durrës dhe Shijak, zona ku fituan kandidatët socialistë dhe në rastin e Shijakut, kandidati i LSI-së.

Në rast se PD dëshiron të marrë një mandat të gjashtë në qarkun e Durrësit, atëherë ky mandat do t’i përkasë Vullnet Topallit, ish-drejtor i Policisë Bashkiake në Tiranë në kohën e Bashës.

Lefter Koka, ministri aktual i Mjedisit dhe i afërm i Dukës, kërkon mandatin e parë për partinë Lëvizja Socialiste për Integrim.

Të katërmbëdhjetë deputetët që do të nxjerrë qarku i Durrësit pritet të kenë efekt real në rezultatin kombëtar.

Partia Socialiste fitoi gati 61 mijë vota në zgjedhjet e vitit 2013, plot 10 mijë më shumë se sa në zgjedhjet e vitit 2009. Partia Demokratike fitoi 53 mijë vota në 2013-n, gati 7 mijë vota më pak se sa PS. Por votat e PD-së në zgjedhjet e vitit 2013 u ndanë me aleatin e tyre të vjetër, Partinë Republikane, e cila garoi në Durrës Agron Dukën. PR arriti të marrë mbi 10 mijë vota në ato zgjedhje duke siguruar mandatin e deputetit për Dukën, i cili kësaj here nuk garon më vete por garon në listat e PD-së. Për rrjedhojë mund të thuhet se votat që humbi PD, i fitoi PR. Por krahasimisht, Partia Socialiste fitoi në 2013-n nga pjesëmarrja më e lartë në votime. Mes viteve 2009 dhe 2013, lista e votuesve në Qarkun e Durrësit u shtua me 23 mijë votues, si pasojë e të rinjve që mbushën moshën e votimit si dhe të banorëve të rinj të Durrësit të ardhur nga anë të tjera të Shqipërisë. Numri i votave të hedhura më 2013-n u rrit me 18 mijë, vota që në shumicë u fituan nga Partia Socialiste.

Zgjedhjet 25 Qershor 2017

Qarku Durrës nxjerr 14 mandate deputetësh për Kuvendin e ri.

Qarku Durrës – 460 Qendra Votimi

Qarku Durrës – 337.115 votues

Bashkia Durrës – 319 Qendra Votimi

Bashkia Durrës – 241.782 votues

Bashkia Shijak – 54 Qendra votimi,  KZAZ 25

Bashkia Shijak – 34.723 votues

Bashkia Krujë – 87 Qendra Votimi: KZAZ nr 20

Bashkia Krujë – 60610 votues

Votues për herë të parë nivel qarku – 13220

Bashkia Durrës, votues për herë të parë – 9300

Bashkia Durrës katër Komisione Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve, KZAZ-të 21, 22, 23 dhe 24.

K.H.