Kandidati për deputet nga koalicioni “Djathtas për Zhvillim”, Enkelejd Alibeaj, i cili nuk arriti të merrte mandat duke siguruar vetëm 306 vota në partinë e re, në një prononcim për media, u shpreh se nga Kuvendi del me kokën lart.

Ai tha se ata që do të jenë në Kuvend janë pazarxhinjtë, ndërsa theksoi se në zgjedhjet e 11 majit, të humbur kanë dalë shqiptarët.

Ndër të tjera zbuloi se nuk do të jetë më pjesë e politikës aktive.

“Nuk është hera e parë, kam ikur njëherë në 2013-n, me kokën lart. Edhe njëherë në 2019-n me kokën ulur. E rëndësishme është si del, unë dal me kokën lart. Këta që ngelën këtu janë pazarxhinjtë. Kështu e gatuan, bashkë e gatuan. Ia arritën qëllimit. Fitoi Rama, fitoi Berisha, humbën shqiptarët. Preja e radhës është drejtësia.

Rrugët e Zotit janë të pafundme. Unë nuk kam ardhur si anonim dhe nuk iki si anonim. Në politikë aktive nuk do të jem, në atë publike nëse më pranoni, pse jo”, tha Alibeaj.