Tre zyrtarë të njësive elitare të Policisë së Kosovës janë futur në sistemin e kërkimit të Interpolit, pas kërkesës së shtetit rus.

Ne listën e Interpolit janë futur shefi i njësitit elitar të Policisë së Kosovës, ‘FIT’, Alban Jetullahu, shefi i ‘RSU’, Besart Ahmeti, si dhe një zyrtar tjetër i Policisë së Kosovës.

Keta tre zyrtare kërkohen për arrestimin e një shtetasi rus në veri të Kosovës në maj të vitit 2019.

Më 31 maj të vitit 2019, Policia e Kosovës gjatë një aksioni në veri të Mitrovicës kishte arrestuar 19 pjesëtarë të policisë të cilët kanë qenë të dyshimtë, 10 qytetarë që kanë qenë të dyshuar, 9 qytetare të tjerë të cilët kanë penguar zyrtarët policorë në kryerje të detyrës si dhe 1 zyrtar të UNMIK-ut, me nënshtetësi ruse.

Sipas njoftimit të lëshuar nga policia atë kohë, thuhej se plani policor kishte filluar së zbatuari ashtu siç ishte planifikuar në të gjitha rajonet në të cilat kryesisht kanë kaluar pa incidente, përjashtuar rajonin e Zubin Potokut, ku tek vendi i quajtur “Klisurë”, Policia thotë se persona të panjohur kanë vendosur pengesa në rrugë si drunj, ndezje të zjarrit dhe automjete të rënda, kamionë me pesha të rënda e të tjera.

“Policia në këtë zonë ka hasur në rezistencë të armatosur me armë zjarri nga persona të dyshimtë, ku si pasojë e të shtënave janë plagosur dy zyrtarë policorë, prej tyre njëri më rëndë ndërsa tjetri më lehtë, përfshirë edhe disa zyrtarë të lënduar gjatë veprimeve për të hapur barrikadat e vendosura nga qytetarët. Shumica e të dyshuarve kanë qenë të dhunshëm gjatë arrestimit, dhe si pasojë e kësaj Policia është dashur që ta përdorë forcën e domosdoshme dhe proporcionale me qëllim që të dyshuarit t’i vë nën kontroll”, deklaron Policia.