Ndërsa CEZ lajmëronte përmes mediave se do shkëpuste energjinë elektrike për ujësjellësat duke ndërprerë kështu furnizimin me ujë të pijshëm për qytetarët këta të fundit pyesnin veten se pse duhet të penalizoheshin pikërisht ata nga konflikti që ka përfshirë dy kompanitë që sigurojnë dy produkte jetike, ujin dhe energjinë. Qytetarët u ndjenë dyfish të ndëshkuar.

A thua se nuk mjaftonin problemet e herëpashershme që ata kanë me kompaninë çeke për mbifaturimin apo për ndëshkimin kolektiv, po këtyre u shtohet edhe ndërprerja e ujit të pijshëm, sepse kompania çeke kërkon të luajë rolin e të fortit. Në këtë rast çdo qytetar që paguan rregullisht faturat shtron pyetjen: Pse duhet të penalizohem unë?

Duket se kjo është një pyetje 1 milion dollarëshe, sepse për të gjetur përgjigjen e saj duhet të kërkosh në ingranazhet e ndryshkura të shtetit tonë, që nuk merr në mbrojtje as qytetarin e vet. Në rastet e mbifaturimeve, qytetari pavarësisht ankesave të shumta që bën tek Kujdesi për Klientin dhe sorollatjeve nga njëra zyrë në tjetrën në fund të fundit është i detyruar të paguajë vlerën e lartë të faturës, në të kundërt i priten dritat.

Shpjegimi i CEZ në këtë rast është: Kemi bërë gabim, por faturën do ta paguani, sepse është futur në sistem. Ndërkohë kur CEZ ul çelësin pa asnjë njoftim apo nxjerr jashtë përdorimit pajisjet elektro shtëpiake si pasojë e tensionit të lartë është sërish qytetari që do ta paguajë dëmin. Shteti në të gjitha këto raste ka zgjedhur të heshtë duke e lënë qytetarin në hallet e tij.

Përderisa CEZ-it nuk i ka hyrë asnjë gjemb në këmbë deri tani, pavarësisht padrejtësive në dëm të qytetarëve, mendoi të tregonte edhe më tej forcën, të linte pa ujë popullatën, duke shkaktuar një veprim të paprecedent. Këtë herë të paktën shteti reagoi, por vetëm sepse veprimi i kompanisë çeke mund të trondiste vetë qeverinë dhe të nxiste protestat popullore.

 

Qytetarët u ndjenë dyfish të ndëshkuar. A thua se nuk mjaftonin problemet e herëpashershme që ata kanë me kompaninë çeke për mbifaturimin apo për ndëshkimin kolektiv, po këtyre u shtohet edhe ndërprerja e ujit të pijshëm, sepse kompania çeke kërkon të luajë rolin e të fortit 

Duke ndjekur këtë përplasje “titanësh” qytetari kupton se sa mbrohen të drejtat e tij, kur për shkak të kokëfortësisë së të fortëve i pari që ndëshkohet është pikërisht ai që një sistem i tërë ligjesh, rregullash e normash duhet ta mbrojë. Nga veprimi i CEZ e pësuan vetëm disa elektriçistë të thjeshtë, që të frikësuar për të mos humbur vendin e punës u detyruan të ulnin çelësat. Ndërkohë shefat e tyre, ata që urdhëruan këtë masë ekstreme dhe absurde vazhdojnë të ngrohin kolltuqet e zyrave të tyre. Mëria e shtetit shkoi për këta fatkeqë, që mundohen të sigurojnë bukën e fëmijëve të tyre me atë rrogë që marrin.

Ndërsa në vendet e tjera europiane po nuk e pagove një shërbim nuk mund ta përfitosh atë, në Shqipëri ndodh e kundërta. Edhe pse je qytetar i rregullt dhe paguan faturat mund të mbetesh pa drita, madje edhe pa ujë. Është i kuptueshëm deri diku veprimi i CEZ për shkëputjen e energjisë në zona të caktuara (megjithëse shpesh qëllon të dëmtohen edhe paguesit e rregullt të energjisë), sepse duhet të paguash që ta kesh një shërbim, por është flagrante kur problematikat mes ndërmarrjeve shtetërore dhe atyre private shkarkohen mbi qytetarët që e shohin veten të trajtohen si fëmijë të njerkës dhe jo të këtij vendi.

Qytetari është e fundmja gjë që kalon nëpër mendjet e pushtetarëve tanë, të majtë apo të djathtë qofshin. Tensionimet e skajshme të politikës shqiptare rëndojnë gjithnjë mbi kurrizin e shqiptarëve që e panë veten të përfitonin shumë më vonë sesa vendet e tjera të rajonit nga heqja e regjimit të vizave, apo tani kur rrezikojnë të humbin edhe një vit tjetër që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, pasi mandati i Fierit është çështja që po mban peng integrimin.

Në gjithë këto vite qytetarët janë frustruar nga shteti, tashmë po frustrohen edhe nga privatët që vetë kjo qeveri me pompozitet të madh i reklamoi vite më parë.      

Nga veprimi i CEZ e pësuan vetëm disa elektriçistë të thjeshtë, që të frikësuar se mos humbnin vendin e punës u detyruan të ulnin çelësat. Ndërkohë shefat e tyre vazhdojnë të ngrohin kolltuqet e zyrave të CEZ. Mëria e shtetit shkoi vetëm për këta fatkeqë që mbajnë familjen me bukë

Prej kohësh marrëdhëniet Shtet-CEZ janë të tensionuara, kjo për një sërë arsyesh. Secila palë ngre pretendimet e veta. Ndërsa shteti akuzon CEZ për keqmenaxhim të kompanisë, për rritjen të nivelit të humbjeve (45%), për mungesë investimesh dhe për mos blerje të energjisë për popullatën, kompania çeke nga ana e saj i drejtohet qeverisë me listën e gjatë të borxheve që institucionet publike apo privatët i detyrohen asaj. 

Kompania çeke ndodhet prej mëse 3 vitesh në Shqipëri dhe deklaratat e saj për rritje të nivelit të humbjeve në rrjet nuk mund të përkthehen ndryshe veçse pranim i qartë i dështimit të saj në këtë sipërmarrje. Shteti duket se ka dështuar në këtë privatizim dhe zërat që po shtohen gjithnjë e më tepër për heqjen e liçensës dhe largimin e kompanisë nuk janë aq optimiste për qytetarët.

Për shkak se CEZ nuk mendoi aspak për blerjen e energjisë nga jashtë për të përmbushur nevojat e popullatës qeveria i dha KESH-it 50 milion euro për blerjen e saj. Vërtet në këtë rast u sigurua energjia, por ajo rëndoi edhe më shumë xhepat e qytetarëve, të cilët shohin ditë për ditë rritjen e frikshme të borxhit publik dhe koston që të gjithë ne do të mbartim mbi shpinë vitet e ardhshme.

Konflikti i fundit mes CEZ dhe ndërmarrjeve të Ujësjellës-Kanalizimeve tregoi sesa e brishtë është situata e qytetarëve, kur humori i keq i njërës apo tjetrës palë ndëshkon më së pari pikërisht këta të fundit.