Viti jubilar i pavarësisë së vendit është një shtysë për të gjithë studiuesit dhe krijuesit shqiptarë brenda e jashtë trojeve shqiptare për të botuar vepra studimore e historike, për të realizuar projekte artistike etj. në kuadër të kësaj date me rëndësi të madhe historike për vendin tonë.
Nisur nga kjo Sali e Hava Hidrin ky vit i ka parë mjaft të impenjuar për t’i dhënë dorën e fundit librave që dy studiuesit durrsakë po sjellin para lexuesit nën siglën e përvjetorit të pavarësisë. Përveç albumit historik që tashmë ka dalë në treg në proces botimi janë edhe tre libra të tjerë: “Historia e Durrësit”, që mban bashkëautorësinë e Saliut dhe Havasë, “Kujtime historike”, një bashkëpunim mes Sali Hidrit dhe Hysen Kordhës, të cilët sjellin edhe njëherë, të rishikuar tashmë, librin kushtuar av. Hysen Myshketës dhe “Skulpturat e muzeut arkeologjik të Durrësit”.
Është një punë e tërë voluminoze, që siç thotë me shaka studiuesi Hidri i ka izoluar brenda mureve të shtëpisë për rreth 1 vit me rradhë. I vetmi luks që Saliu dhe Havaja i kanë lejuar vetes gjatë këtij viti është shëtitja e përditshme në breg të detit dhe më pas vëmendja e tyre përqendrohej mbi studimet, librat, ballafaqimin e fakteve, diskutimet e gjata me njëri-tjetrin për mënyrën e trajtimit të materialit dhe orë të tëra punë kërkimore e shkencore në kompjuter.
Madje kjo e fundit i ka lodhur jo pak, sepse qëndrimi për një kohë të gjatë para ekranit të kompjuterit shoqërohet me dhimbje dhe probleme të tjera shëndetësore, por gjithsesi dy studiuesit ia dolën mbanë që të shohin të kurorëzuara objektivat që i kishin vënë vetes në këtë vit jubilar për historinë e kombit tonë.
Ndërsa e pata takuar në fillim të vitit studiuesin Hidri për t’i marrë disa informacione lidhur me një shkrim që po bëja për Aleksandër Moisiun, Saliu më pati treguar se bashkë me Havanë po punonin për realizimin e katër librave. Në atë kohë dukej pak e pabesueshme, madje dhe studiuesi vetë nuk dëshironte të fliste para kohe për to, por tashmë çdo gjë është gati dhe pritet vetëm që librat të dalin në treg.
Megjithëse mosha ka bërë të vetën dy bashkëshortët Hidri vazhdojnë të mbeten mjaft aktivë në fushën e studimeve historike. Rreth 22 tituj mbajnë vulën e tyre dhe si për të mos mjaftuar kjo shtrirja kohore që zënë studimet e tyre është mijëra vjeçare, nga periudha pellazgjike e ajo ilire e Dyrrahut antik e për të ardhur deri tek Durrësi i ditëve tona, tek personalitetet që kanë shënjuar historinë durrsake në 100 vitet e fundit.
I vetmi luks që Saliu dhe Havaja i kanë lejuar vetes gjatë këtij viti është shëtitja e përditshme në breg të detit dhe më pas vëmendja e tyre përqendrohej mbi studimet, librat, ballafaqimin e fakteve, diskutimet e gjata me njëri-tjetrin për mënyrën e trajtimit të materialit dhe orë të tëra punë kërkimore e shkencore në kompjuter
“Libri ‘Historia e Durrësit’ tenton të hedhë një vështrim në arritjet e fundit shkencore. Nuk jemi me ato klishetë e dikurshme. Për të shkruar atë ne jemi përqendruar edhe tek 22 librat e mëparshëm që unë dhe Havaja kemi botuar. Gama e botimeve tona përmbledh një kuadër historik shumë shekullor, mijëra vjeçar. Libri nuk është i ngarkuar me referencat e kohës, është i bazuar mbi studimet tona dhe arritjet e historiografisë sidomos për periudhat më të hershme të historisë së qytetit ato pellazge dhe ilire. Do të jetë një libër për të gjitha moshat dhe shtresat shoqërore. Do të jetë i ilustruar me fotografi për periudha të veçanta, për të dëshmuar pasurinë e madhe arkeologjike dhe historike që Durrësi ka që nga prehistoria e deri më sot”,- thotë Sali Hidri.
Veprat e mëparshme të dy studiuesve kanë qenë të pasura me material fotografik, sepse më mirë se fjalët nganjëherë flasin imazhet. Librat studimorë të Havasë kushtuar periudhave të ndryshme të Durrësit antik apo titujt e Saliut kushtuar historisë dhe personaliteteve durrsake të shekullit të kaluar janë ilustruar me larmi fotosh duke dëshmuar krahas punës voluminoze për mbledhjen dhe katalogimin e tyre edhe dëshirën e madhe të dy studiuesve durrsakë për t’iu përmbajtur rigorozisht fakteve dhe dokumentave arkeologjike dhe historike që hedhin dritë mbi aspekte të veçanta të historisë mijëra vjeçare të qytetit bregdetar.
Arkeologë për një kohë të gjatë, zbulues të mozaikut të famshëm të Bazilikës së Arapajt, studiues të mirëfilltë të historisë së qytetit tonë Sali dhe Havaja kanë pasur shumë për të ndarë me njëri tjetrin. Përveç dashurisë si bashkëshortë ata i bashkonte edhe pasioni i përbashkët për historinë e arkeologjinë. Puna dhe pasioni i përbashkët duket se i ka afruar edhe më tepër duke bërë që në çdo hap ata të jenë pranë njëri tjetrit, si shokë e miq të mirë, si kolegë e bashkëshortë prej një kohe shumë të gjatë.
Ky bashkëpunim i frytshëm në sferën profesionale duket se ka ndikuar më së miri dhe në marrëdhënien njerëzore. Lidhja e gjatë dhe komunikimi i vazhdueshëm me njëri tjetrin duket se i ka kthyer në dy gjysma që plotësojnë më së miri një të tërë.
Tashmë kur historia jonë po nis të rishkruhet apo më mirë ka një presion të fortë të politikës për të ringritur apo parë në një dritë të re fakte, ngjarje dhe personazhe historike, historiani Hidri thotë se është shumë e rëndësishme që rishkrimi i historisë të bazohet në fakte dhe dokumenta konkrete.
“Shkenca historike bazohet mbi deduksione, mbi analizë të pastër dhe të qartë të dokumentacionit. Mania për të rishikuar historinë nuk duhet të jetë një urdhëresë, por duhet të jetë një objeksion i arritjeve bazuar në studime të sakta të dokumentacionit. Çdo lloj politizimi i historisë është i dëmshëm. Historiani duhet të qëndrojë larg tendencave politizuese dhe t’i referohet dokumentacionit dhe deduksionit të imtë të fakteve”,- thotë historiani durrsak. Një parim pune ky që i ka shoqëruar gjatë të gjithë jetës dy studiuesit dhe ka qenë parimi bazë për shkrimin e veprave të reja.