Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve është shoqëruar këtë të enjte me debate të ashpra. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka debatuar me Kreun e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ku ka kërkuar mbajtjen urgjente të një mocioni me debat me Ramë. Gjat fjalës së tij, Blushi u kërkoi deputetëve të mazhorancës të dëgjojnë shqetësimet e qytetarëve dhe të tregojnë të njëjtën kurajë që, sipas tij, ka shfaqur Marjana Koçeku. 

Ai theksoi se në seancat plenare nuk duhet të ketë rend dite tjetër përveç diskutimit të kërkesave të protestuesve, duke shtuar se kryeministri duhet të përballet urgjentisht me opozitën dhe qytetarët në Kuvend. Blushi u shpreh më me tej se ndërkohë që Parlamenti Europian flet për kërkesat e protestuesve në Tiranë, Kuvendi i Shqipërisë refuzon të flasë për to. Sekretari  i PL-së u shpreh me tone të ashpra se Parlamenti nuk mund të përfaqësojë vetëm interesat mafioze të Edi Ramës.

Ai kërkoi gjithashtu miratimin urgjent të ndryshimeve kushtetuese për kufizimin e mandatit të Kryeministrit në maksimum dy mandate. Sipas tij, mbështetja e kësaj nisme edhe nga Partia Demokratike dëshmon se pengesa kryesore për rotacionin politik dhe llogaridhënien është Edi Rama. Blushi deklaroi se Partia e Lirisë është e gatshme ta votojë menjëherë këtë ndryshim kushtetues, duke e konsideruar atë një hap të rëndësishëm për t’i dhënë fund, sipas tij, “pengmarrjes së qeverisjes”.

“Hapni sytë dhe veshët dhe dëgjoni zërin e qytetarëve ose tregoni për çfarë ju ka marrë peng Edi Rama që s’keni as kurajon që pati Marjana Koçeku. Edi Rama nuk mund t’u fshihet më sovranit dhe llogaridhënies. Nuk mund të ketë rend dite në seancë plenare veç kërkesave legjitime dhe shumë të drejta të protestuesve. Meqenëse Rama nuk ka as guxim dhe as këllqe të ballafaqohet me shqiptarët në shesh, të vijë të përballet në Kuvend urgjentisht! Parlamenti Europian flet për kërkesat e protestuesve në Tiranë, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë refuzon të flasë për to. A ka absurd më të madh? Parlamenti nuk mund të përfaqësojë vetëm interesat mafioze të Edi Ramës, por duhet të ketë kryeagjendë kërkesat e shqiptarëve.

Të votohet urgjentisht në Kuvend ndryshimi kushtetues për kufizimin e mandatit të Kryeministrit në vetëm 2 mandate. Mbështetja e kërkesës edhe nga PD tregon qartë se ka vetëm një pengmarrës të demokracisë, rotacionit, llogaridhënies, standardeve europiane të qeverisjes së mirë dhe lirive e të drejtave të shqiptarëve, i cili është Edi Rama. Partia e Lirisë shpreh vullnetin për ta miratuar menjëherë këtë ndryshim kushtetues, që i jep fund pengmarrjes mafioze të qeverisjes. Keni kurajon që pati Marjana Koçeku dhe braktisni varkën e Edi Ramës nëse nuk mendoni që të mbyteni bashkë me të. Kuvendi duhet të reagonte menjëherë për kërcënimet që ka marrë Neomalesorja nga bandat e lidhura me Edi Ramën,” tha Tedi Blushi.